Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në Gramsh mori pjesë sot në prezantimin e kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë Gramsh, Hasim Çekrezi.
Në fjalën e tij, Meta tha se në katër vite qeverisja vendore është keqqeverisur nga pushteti ilegjitim, monist.
“Ju e dini shumë mirë sesi është keqqeverisur Gramshi në këto 4 vite. Por unë e di shumë mirë sesi është keqqeverisur Tirana në këto 4 vite. Asnjë nuk e di në Tiranë se kush ka qenë kryetari apo kryetarja e Këshillit të Bashkisë në 4 vjet, as ju nuk e dini. Sepse kurrë nuk është bërë një mbledhje e këshillit bashkiak siç bëheshin përpara 4 vitesh, me debate, me alternativa, me propozime, me amendamente për buxhetet, për taksat vendore, jo asnjëherë”,- tha Meta.
Meta tha se koalicioni “Bashkë Fitojmë” është i vendosur për të garantuar një transparencë absolute.
“Mbi 1 miliard euro taksa të qytetarëve të Tiranës janë shpërdoruar në errësirë të plotë. Dhe kur kjo ka ndodhur në Tiranë, ju e dini shumë mirë, çfarë ka ndodhur në Gramsh, çfarë ka ndodhur në të gjithë Shqipërinë. Ndaj koalicioni jonë ‘Bashkë Fitojmë’, rikthen kontrollin tuaj mbi bashkitë dhe mbi këshillat bashkiakë”,- tha Meta.

