Presidenti Joe Biden ka biseduar me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, në mesin e përpjekjeve të shtuara të zyrtarëve amerikane për arritjen e një ujdi mbi lirimin e 98 pengjeve si dhe për armëpushim në Gazë, përpara se demokrati të lërë detyrën. Në një deklaratë të zyrës së kryeut të ekzekutivit izraelit thuhet se Netanyahu e informoi Bidenin mbi progresin në bisedime, si dhe mandatin që i ka dhënë një delegacioni të nivelit të lartë që ndodhet në Doha të Katarit, me qëllim për të avancuar në arritjen e marrëveshjes. Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan tha për rrjetin televiziv CNN se palët janë “shumë pranë” arritjes së një marrëveshjeje.
Zyrtarët izraelitë dhe palestinezë pohojnë se që nga e enjtja duket se ka pasur një lloj përparimi në negociatat indirekte mes Izraelit dhe Hamasit. Sipas Sullivan ka ende një shans për të arritur një marrëveshje përpara se Biden të largohet nga detyra, por ai e nenvizoi se ekzistonte gjithashtu mundësia që “Hamasi, në veçanti, të mos pajtohej me kushtet e marrëveshjes”. Reuters thotë se një draft final i ujdisës së armëpushimit për Gazën i është paraqitur palëve nga Katari pas diskutimeve në Doha. Burimet thonë se 24 orët e ardhshme do të jenë vendimtare për vulosjen e një pakti, teksa drafti po përshkruhet si rezultat i një përparimi të arritur ditën e sotme.
Zëvendëspresidenti i zgjedhur i SHBA-së, JD Vance tha për rrjetin televiziv ‘Fox News” se ai pret që një marrëveshje për lirimin e pengjeve amerikane që ndodhen në Lindjen e Mesme, të shpallet në ditët e fundit të administratës Biden, deri në 2 ditë përpara.