Qytetarët në Zvicër shkojnë këtë fundjavë në qendrat e votimit për të vendosur nëse do të ulet ndjeshëm tarifa vjetore që paguhet për transmetuesin publik kombëtar, Korporata Zvicerane e Transmetimeve -“Swiss Broadcasting Corporation” (SBC), sipas AP.
Aktualisht, çdo familje paguan 335 franga zvicerane në vit (ose 435 dollarë).
Edhe pse kjo tarifë është ulur në vitet e fundit, ajo mbetet më e lartë se në vendet fqinje si Gjermania dhe Austria.
Nëse propozimi miratohet, tarifa do të ulet në 200 franga zvicerane në vit, ndërsa bizneset do të përjashtohen plotësisht nga pagesa.
Nisma e së djathtës
Propozimi mbështetet nga partia e djathtë “Partia Popullore Zvicerane”, e cila argumenton se tarifa aktuale është shumë e lartë në një kohë kur qytetarët po përballen me rritjen e kostos së jetesës.
“Në shekullin XXI programet mund të prodhohen shumë më lirë sesa 30 apo 40 vite më parë. 200 franga janë më se të mjaftueshme”, tha deputeti i kësaj partie, Manfred Bühler.
Sipas mbështetësve të uljes së tarifës, gjithnjë e më shumë të rinj po kalojnë drejt platformave “streaming” dhe po pyesin nëse transmetuesi publik duhet të ketë një rol kaq të madh.
Kundërshtimet: Rrezik për unitetin kombëtar
Kundërshtarët e propozimit paralajmërojnë se një ulje e tillë do të dëmtonte rëndë funksionimin e transmetuesit publik.
Në Zvicër ekzistojnë katër gjuhë zyrtare – gjermanishtja, frëngjishtja, italishtja dhe romanishtja – dhe secila prej tyre ka kanalet e veta radiofonike dhe televizive, që transmetojnë çdo ditë lajme kombëtare dhe lokale.
Deputeti i socialistëve, Fabian Molina, tha se ulja e tarifës mund të minonte kohezionin kombëtar, pasi sistemi aktual synon të trajtojë në mënyrë të barabartë të gjitha rajonet dhe komunitetet gjuhësore.
Gjithashtu, ai shprehu shqetësimin lidhur me ndikimin që kjo mund të ketë në raportimin ndërkombëtar të SBC-së.
Transmetuesi mban korrespondentë në shumë vende, përfshirë SHBA, Rusi, Kinë, rajonin e Lindjes së Mesme dhe Amerikën Latine, si dhe në qytete si Bruksel, Berlin, Paris, Romë dhe Londër.
“Si vend neutral, ne kemi një perspektivë unike për botën dhe vetëm korrespondentët tanë mund ta sjellin atë tek qytetarët”, tha Molina.
Paralajmërime për humbje të vendeve të punës
“Swiss Broadcasting Corporation” ka paralajmëruar se miratimi i uljes së tarifës mund të çojë në qindra humbje vendesh pune dhe një reduktim të ndjeshëm të mbulimit të lajmeve dhe sportit.
Ndryshe nga shumë vende të tjera evropiane, përfshirë Britaninë e Madhe, ku futbolli i ligave kryesore transmetohet kryesisht nga platforma private me abonim, transmetuesi publik zviceran vazhdon të ofrojë shumë ndeshje futbolli dhe sporte dimërore, në të cilat Zvicra ka traditë të fortë.
Polemika pas një artikulli në RT
Debati mori një kthesë të papritur pasi në versionin gjerman të medias shtetërore ruse RT u publikua një artikull që u bënte thirrje zviceranëve të votonin për uljen e tarifës.
Artikulli ishte firmosur nga një autor me emrin “Hans-Ueli Läppli”, një emër që shumë e konsideruan pseudonim.
Në tekst akuzohej SBC për “rusofobi” dhe për raportim selektiv që “manipulon popullsinë”.
Për shumë votues, kjo u perceptua si ndërhyrje e drejtpërdrejtë në demokracinë zvicerane dhe shkaktoi reagime të forta.
