Një figurë e njohur e botës intelektuale shqiptare, Artan Lame, u nda nga jeta disa ditë më parë pas një ndërhyrje në zemër. Lame vuante prej vitesh nga probleme kardiake.
Sot, pranë Akademisë së Shkencave po zhvillohen homazhe për nder të tij, ku miq, kolegë dhe personalitete të njohura i japin lamtumirën e fundit.
Artan Lame ka qenë një publicist i angazhuar dhe një zë i fortë në mbrojtje të trashëgimisë kombëtare. Ai ishte themelues i Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore dhe shquhej për përkushtimin e tij ndaj ruajtjes së vlerave historike të vendit. Miqtë e tij kanë paralajmëruar se në nder të tij do të ngrihet një muze pranë Gardës së Republikës.
Ervin Hoxha: Artan Lame ishte mik dhe njeri me vlera. Ai ia kushtoi jetën e tij shtetit, këtij qëllimi dhe këtyre ambicieve. Ngushëllime familjarëve, miqve dhe të afërmve.
Ministri Blendi Gonnxhja, i pranishëm në ceremoninë ku po mbahen homazhet në nder të Artan Lames, u shpreh se Shqipëria ka humbur një kujdestar unik të trashëgimisë kulturore dhe historike të vendit.
Ai u shpreh se ngjarja ishte një tragjedie vërtetë për familjen dhe miqtë, ndërsa siguroi se nuk do të mungojë mbështetja për muzeun e koleksionit të tij, një punë që Lame e la në gjysmë me ndarjen e tij nga jeta. “Vendi ynë ka humbur një kujdestar të lartë dhe unik të trashëgimisë kulturore dhe historike.
Historiani Auron Tare u shpreh se i ndjeri është një personazh që rrallë i vjen një shoqërie ndërsa theksoi se është një nga koleksionistët më të mëdhenj në Ballka dhe më unikalët në Europë.
“Nuk është kollaj të flasësh në këtë ditë, por unë dhe miqtë e ngushtë tij kemi vendosur ta kujtojmë duke qeshur e duke treguar histori humori. Mendoj se ishim me fat që Lamja ishte pjesë e jetës sonë private dhe publike. I kujtojmë me humor të gjitha betejat dhe debatet që ziheshim, pasi në fund sërish e merrnim në telefon njëri tjetrin.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, u shpreh me fjalë të ndjera për figurën e tij, duke theksuar kontributin e jashtëzakonshëm që ai pati në jetën publike dhe institucionale të vendit.
Manja theksoi se Shqipërisë dhe Tiranës sot i mungon një njeri i ditur, intelektual dhe patriot, i cili vetëofrohej për të bërë gjërat më mirë dhe që mbrojti me pasion kauzat kombëtare, përfshirë edhe çështjen e detit me Greqinë, një betejë që ai e udhëhoqi si pak kush tjetër.
“Nga sot, Tiranës dhe Shqipërisë do i mungojë një njeri i ditur dhe patriot, që vetëofrohej për të bërë gjërat më mirë në Shqipëri. Ka humbur jeta publike, jeta institucionale, por edhe shoqëria civile ka humbur një njeri unik. Ai ishte një intelektual me dije të gjithanshme.