Deputetja e Partisë Demokratike në qarkun e Vlorës, Ina Zhupa i dërgoi sot një kërkesë zyrtare Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes për ngritjen e menjëhershme të grupit të përbashkët të punës për evidentimin e dëmeve të zjarreve në bashkitë Delvinë, Finiq, Konispol dhe marrjen e masave për dëmshpërblimin e plotë të banorëve të prekur.
Zhupa u shpreh se grupi i punës duhet të ngrihet pa vonesë në shërbim të banorëve, duke pasur parasysh përmasat e mëdha dhe dëmet kolosale që kanë sjellë zjarret në këto zona.
“Të ngrihet një grup pune i përbashkët, i përbërë nga përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes, së Ministrisë së Brendshme, të secilës nga bashkitë, përfaqësues të prefektit të Qarkut dhe përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile; Të bëhet një proces evidentimi real dhe i shpejtë në terren i dëmeve që la pas situata e zjarreve; Të përgatitet një projektvendim që dëmshpërblen në mënyrë të plotë sipas çmimeve të tregut dëmet e shkaktuara ndaj banorëve”, shtoi ajo.
Zhupa shprehu gatishmërinë e përfaqësuesve demokratë në këshillat bashkiak për të qenë pjesë e grupeve të punës për evidentimin e dëmeve me paanshmëri dhe korrektësi.
“Po ashtu shprehim vullnetin për të votuar çdo vendim për dëmshpërblimin e plotë dhe të shpejtë të banorëve të prekur nga zjarret. Siç e parashikon ligji “Për mbrojtjen civile” pamundësia financiare e buxheteve të këtyre bashkive nuk është dhe nuk mund të jetë justifikim për dëmshpërblimet e banorëve, në këtë rast janë institucionet qendrore që do duhet të përgjigjen”, theksoi Zhupa.
Por fillimisht, ajo nënvizoi se duhet “evidentimi dhe nxjerrja e faturës financiare si detyrë e drejtpërdrejtë e grupit të punës, proces që nuk duhet të vonohet”.
“Djegiet e shtëpive, tokave, bashkë me prodhimet e tyre bujqësore, ullishteve dhe bagëtive, e kanë kthyer jetesën e këtyre banorëve të pamundur për shkak se nuk kanë më asgjë. Banorët nuk mund të braktisen në premtime boshe me thasë koncentratesh. Është detyrë e shtetit t’iu përgjigjet në këtë fatkeqësi për të cilën ata nuk kanë asnjë përgjegjësi”, tha Zhupa.