Screenshot 2025 03 05 114458 696x408

Në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, kryetarja e këtij komisioni, deputetja Ina Zhupa solli sot në vëmendje një shqetësim që, siç e quajti ajo, ka lidhje me prekjen e nivelit të pagave për 6 500 mësues të ciklit parauniversitar, për shkak të rikategorizimit.

“Ka një shqetësim nga ana jonë, e kemi thënë edhe në përballje me ministren Manastirliu, që pagat e 6500 mësuesve të arsimit parauniversitar preken me rikategorizimin me grupe dhe ata që janë shkolluar përpara vitit 2020 preken me një masë ulje 100 mijë lekë çdo muaj të pagës së tyre.

Janë në Gjykatën Kushtetuese ata që preken nga kjo VKM dhe përfaqësohen nga Alma Lama, po ashtu dje Sindikata e Arsimit Parauniversitar në Korçë ka paralajmëruar që do të përshkallëzohet situata në grevë dhe protestë të mësuesve”, tha Zhupa.

Deputetja e PD-së, shprehu nga ky komision mbështetjen për 6500 mësuesit që preken nga rikategorizimi që, sipas saj, “me një të rënë të lapsit u ulet paga dhe u ndryshohet kategoria, a thua se nuk bëjnë të njëjtën punë që kanë bërë deri dje”.

“Kjo mendësi që me njërën ua jepni një shtesë dhe me tjetrën ua hiqni me marifet është mendësia e kësaj mazhorance. I bëj thirrje ministres Manastirliu të tërhiqet nga ajo vendimmarrje, t’i takojë, t’i dëgjojë dhe t’i kthejë mësuesit në atë kategori siç kanë përfituar edhe më përpara, të respektohet kontratat kolektive dhe të mos diskriminojë asnjë mësues”, shtoi Zhupa.

Nga ana tjetër, zëvendëskryetarja e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, njëherësh ish-ministre e Arsimit, Evis Kushi tha se “mësuesit kanë qenë dhe do të jenë në vëmendjen e kësaj qeverie për pagat dhe gjithë vlerësimin që meritojnë për punën që bëjnë çdo ditë”.

“Çdo herë, kur bie fjala për pagat jemi shumë krenarë se rritja e fundit e pagave ishte rritja më e madhe ndonjëherë për mësuesit. Paga mesatare e mësuesve shkon në 950 euro, mesatarisht një rritje prej 18 mijë lekësh çdo muaj, këtu merret për bazë kategoria, vjetërsia etj. Sa i takon mësuesve të ciklit fillor, rritja është 200 euro në muaj, rritja më e madhe ndonjëherë. Shqetësimi juaj ka lidhje me harmonizimin e kategorisë së tyre me administratën publike, prandaj ju e konsideroni ulje, por mësuesit e fillores kanë një rritje me 200 euro në muaj. Pajtohemi me ju, sa i takon faktit që mësuesit meritojnë gjithmonë më shumë, dhe ne do t’i kemi gjithnjë në vëmendje”, nënvizoi Kushi.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights