Karol Nawrocki, kandidati sovranist dhe pro-rus, fiton ngushtë përballë rivalit liberal Rafał Trzaskowski në raundin e dytë presidencial
Në zgjedhjet presidenciale të Polonisë, Karol Nawrocki ka dalë fitues me 50.89% të votave, duke mposhtur ngushtë kryetarin liberal të Varshavës, Rafał Trzaskowski, i cili mori 49.11%, pas një gare tepër të ngushtë që mbajti vendin në tension.
Rezultati bëhet i njohur sipas agjencisë polake të lajmeve Pap, e cila citon të dhëna nga Komisioni Kombëtar i Zgjedhjeve pasi u numëruan të gjitha qendrat e votimit. Pjesëmarrja në votime ishte 71.63%.
Ballotazhi i ngushtë dhe përplasja politike në Poloni
Zgjedhjet u zhvilluan në një klimë të polarizuar politike, ku Nawrocki, një figurë nacionaliste dhe euroskeptike, përfaqësoi linjën e ashpër konservatore, ndërsa Trzaskowski mbrojti një vizion pro-europian dhe liberal.
Të dy kandidatët pretenduan fitoren në orët e para të numërimit.
• Rafał Trzaskowski deklaroi “Kemi fituar. Do t’i bashkoj polakët”.
•Karol Nawrocki reagoi menjëherë “Sonte do të fitojmë dhe do ta shpëtojmë Poloninë”.
Një vend i ndarë mes Lindjes dhe Perëndimit
Kjo garë zgjedhore e theksoi ndarjen e thellë politike në Poloni, një vend strategjik në kufirin lindor të NATO-s dhe Bashkimit Evropian.
Rezultati konfirmon ndarjen mes pjesëve urbane, të cilat mbështesin liberalët, dhe zonave rurale që votojnë për nacionalistët.
Çfarë pritet tani për Poloninë?
Fitorja e Nawrockit pritet të shtyjë Poloninë drejt një rruge më nacionaliste, me më shumë fokus te sovraniteti dhe më pak integrim evropian. Karol Nawrocki ka marrë mbështetje të drejtpërdrejtë nga ish-presidenti amerikan Donald Trump, çka nënkupton një orientim më të theksuar drejt politikave konservatore ndërkombëtare.
Trzaskowski, ishte kandidat i Koalicionit Qytetar të Tusk-ut.
Për Tusk, humbja është e rëndë dhe rrezikon të kompromentojë agjendën e tij të reformave për të lënë pas vitet e qeverisjes së PiS-it. Presidenti mund të vërë veton ndaj ligjeve të miratuara në parlament, diçka që presidenti në largim, Andrzej Duda, afër PiS-it, e ka bërë shpesh që kur Tusk u kthye në pushtet.
“Procesi i riparimit të sundimit të ligjit në Poloni sapo është bërë tepër më i vështirë”, shpjegoi Jakub Jaraczewski, një ekspert në OJQ-në Democracy Reporting International, në platformën Bluesky.
“Pres që Presidenti Nawrocki të jetë edhe më pak bashkëpunues se Duda”, shtoi ai.
Qëllimi i një kthimi në një gjyqësor të pavarur mund të kompromentohet.
Nawrocki do të përpiqet gjithashtu të rihapë dyert e qeverisë për PiS-in.
Koalicioni i Tuskut mund të mos zgjasë shumë pas humbjes së tij në zgjedhjet presidenciale.
Po kush është Karol Nawrocki
Karol Nawrocki, historiani me prirje konservatore, ndërtoi gjatë fushatës zgjedhore një imazh prej “të forti” përmes videove në poligone qitjeje dhe palestra boksi.
Ndërsa rivali i tij liberal, Rafal Trzaskowski, theksonte lidhjet me Bashkimin Evropian, Nawrocki theksoi marrëdhëniet me SHBA-në, duke u takuar me Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe duke siguruar mbështetjen e presidentit amerikan për kandidaturën e tij.
E kaluara e Nawrock-it ka qenë subjekt debatesh të ashpra në publik, pas disa raportimeve negative në media. Janë ngritur pikëpyetje për mënyrën se si ka përfituar një apartament nga një pensionist dhe një pranim i tij se ka marrë pjesë në përleshje të organizuara.
“Të gjitha aktivitetet e mia sportive kanë qenë të bazuara në forcën e zemrës, të muskujve, të grushtave të mi,” u shpreh Nawrocki, i cili ka qenë boksier amator, gjatë një debati ku u përball me raportimet për përfshirjen në sherre masive të organizuara mes huliganëve të futbollit.
“Ishte një garë e ndershme, pavarësisht formës”, tha ai sipas asaj që raporton Reuters.
Ai e paraqiti procesin zgjedhor si një referendum ndaj qeverisë, të cilën e përshkroi si një elitë metropolitane të shkëputur nga problemet e njerëzve.
Analistët vlerësojnë se Nawrocki pritet të ndjekë linjën e presidentit në largim, Andrzej Duda, i cili përdori fuqinë e vetos për të bllokuar përpjekjet e qeverisë pro-evropiane për të rikthyer reformat gjyqësore të mëparshme. BE-ja i ka kritikuar këto reforma si kërcënim për pavarësinë e sistemit gjyqësor në Poloni