Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministri Albin Kurti, së shpejti do t’i fillojë përpjekjet për zgjedhjen e presidentit, tha ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
Teksa kanë edhe 25 ditë afat kushtetues për zgjedhjen e të parit të vendit, Vitia tha se fokusi kryesor i LVV-së dhe Kurtit është që të shmangen zgjedhjet.
“Atë që po e bën kryeministri Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje është që të shmangen zgjedhjet. Njësoj do të vazhdohet deri në ditën e fundit me takime, propozime dhe çdo mundësi që të shmangen zgjedhjet. Zgjedhjet nuk sjellin rezultat tjetër dhe në këtë drejtim është një humbje në raport me shumë gjëra të mira për qytetarët. Është diçka që nuk do të ndryshojë thellë rezultatin dhe pse të shkohet me gjithë këto harxhime shtesë për zgjedhjet dhe rrugëtim të panevojshëm”, tha Vitia në konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë.
Për çështjen e presidentit foli edhe partnerja e koalicionit të Kurtit, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila.
Ajo u shpreh më skeptike për një zgjedhje për presidentin, siç tha pas polemikave të ashpra të enjten në seancën e Kuvendit.
Megjithatë, Kusari-Lila tha se Kurti shumë shpejt do të ketë kërkesa dhe takime formale me liderët e opozitës për çështjen e presidentit.
