Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi se është gati të punojë me SHBA-në mbi “vizionin” për t’i dhënë fund luftës me Rusinë, sipas BBC.
Sipas planit, Kievi duhet të bëjë lëshime territoriale, si zonën e rëndësishme të rajonit të Donetskut në Ukrainën lindore që ende kontrollon, të reduktojë madhësinë e ushtrisë dhe të mos bashkohet me NATO-n – propozime që më herët ishin përjashtuar.
Shtëpia e Bardhë ka hedhur poshtë pretendimet se Ukraina nuk ka qënë e përfshirë në hartimin e planit, i cili u bë i ditur pas takimit midis të dërguarit special të SHBA-së, Steve Witkoff, dhe homologut të tij rus, Kirill Dmitriev.
Dispozitat në draftin e planit duken sikur përputhen me kërkesat e Moskës duke nxitur një përgjigje diplomatike të kujdesshme nga Kievi.
Ukraina është mbështetur në ndihmën ushtarake amerikane që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë në shkurt 2022, por presidenti, Donald Trump e ka ndryshuar qëndrimin e SHBA-së në mënyrë që ndihma e mëtejshme të financohet nga aleatët e NATO-s – ndërsa arritja e një marrëveshjeje paqeje është bërë një prioritet.
Plani i draftit Witkoff-Dmitriev u njoftua ndërsa Rusia po pretendon avancime të vogla territoriale në Ukrainën lindore dhe Zelensky po përballet me një krizë të brendshme që ka përfshirë zyrtarë të lartë në një skandal korrupsioni prej 100 milionë dollarësh.
Në fjalimin e tij të përditshëm, udhëheqësi ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se zyrtarët ushtarakë amerikanë në Kiev kishin paraqitur propozimet dhe pikat e një plani për t’i dhënë fund luftës – vizionin e tyre për paqen.
“Që nga ditët e para të luftës, ne kemi mbajtur një qëndrim shumë të thjeshtë: Ukraina ka nevojë për paqe. Një paqe të vërtetë – një paqe që nuk do të prishet nga një pushtim i tretë”, tha Zelensky.
Kievi dhe aleatët e tij evropianë kanë mbështetur prej kohësh idenë e një paqeje “të drejtë dhe të qëndrueshme” – që do të siguronte që asnjë pjesë e Ukrainës të mos merrej nga Rusia.
Moska tashmë ka aneksuar gadishullin e Krimesë të Ukrainës, si dhe katër rajone që ajo i ka pushtuar pjesërisht përmes pushtimit aktual në shkallë të plotë.
Megjithatë, udhëheqësit evropianë janë lënë jashtë planit SHBA-Rusi dhe ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul tha se nga perspektiva e tij, ky nuk ishte ende një plan i plotë, por “një listë idesh dhe opsionesh”, duke cituar deklaratën e sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio.
Drafti i publikuar propozon kufizimin e ushtrisë së Ukrainës në 600,000 ushtarë, me avionë luftarakë evropianë të stacionuar në Poloninë fqinje.
Drafti gjithashtu sugjeron që Rusia do të “riintegrohet në ekonominë globale”, përmes heqjes së sanksioneve dhe duke ftuar Rusinë të ribashkohet me grupin G7 të vendeve më të fuqishme në botë – duke e bërë atë sërish grupi G8.
Zelensky tha se do të bisedonte me Trump në ditët në vijim në lidhje me propozimet, të cilat përfshinin gjithashtu plane që Ukraina të hiqte dorë nga shumë armatime.
Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, hodhi poshtë sugjerimet se plani për paqen parashikonte lëshime të mëdha territoriale nga Ukraina – duke theksuar se SHBA-ja ishte angazhuar “në mënyrë të barabartë me të dyja palët”.
“I dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, dhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio kanë punuar në heshtje për propozimin për rreth një muaj – dhe kanë përfshirë të dyja palët për të kuptuar se për çfarë do të angazhohen këto vende – në mënyrë që të arrihet një paqe e qëndrueshme”, tha ajo.
“Është një plan i mirë për të dyja palët”, shtoi ajo, pa dhënë detaje të mëtejshme.
“Ne besojmë se duhet të jetë i pranueshëm për të dyja palët. Dhe po punojmë shumë për ta realizuar atë”, theksoi Leavitt.
