Policia e Shkodrës ka zbuluar një tjetër “shtëpi bari”, kësaj radhe të vendosur në Velipojë. Policia ka arrestuar një 22-vjeçar, i cili kishte marrë një banesë me qira aty dhe e kishte përshtatur për kultivimin e kanabisit me anë të llambave.
Në prangat e policisë ra dhe një punonjës i OSHEE-së ndërsa dy të tjerë u proceduan penalisht për shpërdorim detyre.
Nga kontrollet në “shtëpinë e barit” u sekuestruan 208 bimë narkotike, 85 gramë lëndë të tharë kanabis, 122 pajisje elektrike për kultivimin e drogës dhe katër celularë.
“Gjithashtu, nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit R. V., u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 3 llamba dhe një përforcues grushti”, njoftoi policia.
Sipas autoriteteve kjo ishte faza e katërt e operacionit “Neonët” duke zbuluar deri më tani shtatë ambiente që përdoren për qëllime të tilla.
