Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se, prej datës 1 gusht, receta mjekësore në formatin unik ka nisur të zbatohet në të gjithë vendin, duke e cilësuar këtë një tjetër hap përpara në përmirësimin e shërbimit shëndetësor.
“Me zërin e farmacistëve që çdo ditë janë në shërbim të qytetarëve, vjen dëshmia për më shumë siguri për pacientët, më pak burokraci për mjekët dhe farmacistët, dhe një ndjekje më të saktë të trajtimit”, u shpreh Rama në një postim në rrjetet sociale.
“Receta e re përmban të gjithë elementët që ne i kemi kërkuar për të qenë të saktë deri në ekzekutimin e plotë të saj”, shprehen ata.
Sipas farmacistëve, formati i unifikuar ndihmon veçanërisht brezin e ri të profesionistëve në përcaktimin e saktë të emrit të barnave dhe dozave përkatëse, duke reduktuar ndjeshëm mundësinë për gabime.
“Receta e re është një investim modest në komunikimin ndërmjet mjekut dhe farmacistit, por me ndikim të madh në sigurinë dhe efikasitetin e shërbimit ndaj pacientëve”, u theksua më tej.
Risia tjetër e këtij sistemi është se për pacientët kronikë, receta mund të vlejë deri në gjashtë muaj, duke shmangur rikthimin e shpeshtë te mjeku për tërheqjen e të njëjtit trajtim. Gjithashtu, medikamentet do të shkruhen sipas përbërësit aktiv, duke ulur rrezikun e konfuzionit për shkak të produkteve të ndryshme tregtare.
Farmacistët kanë bërë apel që të gjitha institucionet që kanë të drejtë të lëshojnë receta, ta aplikojnë këtë format të ri sipas udhëzimeve, për të garantuar sigurinë maksimale të pacientit dhe funksionimin korrekt të sistemit shëndetësor.