Zëvendës presidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, tha sot se procesi i integrimit evropian është marrë peng nga një qeveri e cila ka zgjedhur pushtetin mbi të ardhmen evropiane të vendit.
Sipas deputetes së PL-së rreziku i procesit evropian vjen nga mosmiratimi i raportit IBAR.
“Ky raport, që përcakton nëse janë përmbushur kriteret e shtetit të së drejtës dhe përfshin grup-kapitullin e parë për Reformën ne Drejtësi, Siguri, Luftën kundër korrupsionit dhe Liritë e Njeriut, e cila nuk është miratuar nga Brukseli. Miratimi i Raportit IBAR është kusht themelor për të mundësuar mbylljen e kapitujve të negociatave dhe avancimin e procesit të integrimit”, tha Xhixho në një deklaratë për shtyp.
Xhixho theksoi se integrimi evropian nuk është thjesht në rrezik, por ai po sabotohet. Ajo shtoi se votimi i kundër heqjen së imunitetit të Belinda Ballukut, “ishte një akt i pastër politik për të mbrojtur pushtetin dhe për të shkatërruar drejtësinë”.
“Mazhoranca e ktheu imunitetin në një bunker politik dhe juridik, duke i shpallur luftë të hapur drejtësisë. Mandati nuk u trajtua si përgjegjësi, por si privilegj për të fshehur përgjegjësi penale”, u shpreh ajo.
Gjithashtu, Xhixho theksoi se “kryeministri Edi Rama në bashkëpunim me Aleksandar Vuçiç, po promovon një model të rrezikshëm që synon të zëvendësojë integrimin e plotë, me një integrim të pjesshëm ekonomik”.
Sipas saj, ky është një projekt që nuk i shërben qytetarëve shqiptarë, por interesave personale të një elite që kërkon të shmangë standardet dhe përgjegjësitë evropiane.
Xhixho tha se integrimi evropian po sabotohet nga një qeveri që ka zgjedhur korrupsionin mbi interesin kombëtar.
Ndaj vijoi ajo më tej, Partia e Lirisë u bën thirrje qytetarëve të bashkohen në protestën e 22 marsit.
