Burg përjetë ka kërkuar këtë të enjte Prokuroria e Fierit për Azgan Mërnicën, 24-vjeçarin, i cili një vit më parë i mori jetën efektivit të policisë, Novruz Cenalia. Ngjarja e rëndë ndodhi më 13 maj të 2024, në fshatin Baltëz të Fierit.
Sipas njoftimit zyrtar të organit të akuzës, Mërnica akuzohet për tre vepra të rënda penale: vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit, mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit, dhe drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt.
Po ashtu, Prokuroria thotë se është provuar përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se 24-vjeçari është autori i vrasjes së efektivit.
“Nga hetimi dhe gjykimi u provua tej çdo dyshimi të arsyeshëm se, në datë 13.05.2024, rreth orës 13:30, në fshatin Baltëz, Njësia Administrative Dërmenas, Bashkia Fier, i pandehuri Azgan Mërnica ka vrarë me armë zjarri punonjësin e Policisë së Shtetit, Novruz Cenalia, i cili mbante veshur uniformën e Forcave Speciale ‘Shqiponja’, që e bënte lehtësisht të dallueshme cilësinë e tij. Konflikti mes viktimës dhe të pandehurit ka lindur për shkak se ky i fundit, ndërsa drejtonte automjetin e tij, është futur në kthesë me shpejtësi, pa kontrolluar rrugën, duke përbërë rrezik për përdoruesit e rrugës.”
Akuza po ashtu sqaron edhe dinamikën e plotë të ngjarjes.
“Viktima i ka tërhequr vëmendjen të pandehurit për këtë veprim, shkak për të cilin i pandehuri ka ndaluar automjetin e tij, ka zbritur prej tij me çantën ku kishte armën e zjarrit dhe, ndërsa shkonte drejt viktimës, i cili nuk kishte dalë nga mjeti i tij, ka nxjerrë armën e zjarrit dhe e ka mbushur atë. Më tej situata ka përshkallëzuar, ku i pandehuri Azgan Mërnica, duke përdorur armën e zjarrit të llojit pistoletë, ka shtënë drejt fytyrës së viktimës Novruz Cenalia, duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme”.
Novruz Cenalia u vra në moshën 28-vjeçare.