Babai Leonard dhe Elis Dukës, Muhamed Duka, ka dëshmuar në gjykatë gjatë procesit për vrasjen e Santiago Malkos. Ai ka rrëfyer se nuk jetonte me dy djemtë e tij dhe se nuk “përzihej” me punët e tyre.
“Nuk njoh e shoqërinë e djemve. Kam pasur punën time, biznesin tim. Tani s’merrem. Kam pasur lokal, tani jam në pension dhe s’merrem. Lokali është ende, por është i mbyllur, s’ka pasur emër. Unë, nusja dhe kuzhinierët merreshim. Djemtë merreshin me punët e veta, bizneset e veta. Këto llotot këto gjërat, lojërat e fatit. S’e di me kë punonin. Nuk përzihesha fare me atë punë. Kisha punën time. Ata janë të rritur, s’kisha lidhje me ta fare. Djemtë kanë jetuar vetëm me njëri-tjetrin, unë vetëm me nusen. Ishin me qira. S’kam pasë shkuar tek shtëpia ku rrinin, s’kisha qejf me shkuar, ata edhe vinin tek unë. I kam ndihmuar unë dikur, kur ishin të vegjël. Tani jo, patën jetën e vet. S’kishin punë me mua. S’më ka ardhur njeri te dera ndonjëherë herë për ta, as policia mua personalisht jo”, tha ai.
Sa i përket Santiago Malkos, babai i vëllezërve Duka deklaroi se nuk e njihte. Madje asnjëherë nuk ka pasur konflikt as me të, e as me Ervis Martinajn.
“Nuk e njoh shtetasin Santiago Malko, as kam patur kontakt, as s’e njoh as se di se kush është. Nuk jam shqetësuar, kërcënuar në asnjë rast prej këtij shtetasi. Djemtë e mi mesa di unë nuk kanë patur konflikt me këtë shtetas. Shtetasin Ervis Martinaj nuk e njoh. Në dijeninë time, djemtë e mi nuk kanë patur konflikt me këtë shtetas”, tha Duka.
Kujtojmë se Leonard Duka u ekstradua nga Belgjika vitin e kaluar. Ai akuzohet si një organizatorët e vrasjes së Santiago Malkos në Gusht të 2019 në Tiranë. Mbi këtë akuzë, Duka u arrestua në Belgjikë në 14 shkurt të vitit 2023, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë.
Për vrasjen e Santiago Malkos vijojnë në kërkim Elis Duka, Fatmir Hyseni, Aleksandër Maxhaku dhe Oltion Logu. 25 vite burg janë dhënë ndërkohë për Ilir Selmanin, ndërsa Gjykata e Lartë riktheu për gjykim dosjen e Blendi Tetës, i akuzuar po ashtu për këtë çështje.
Emri i Leonard Dukës doli dhe në dosjen e operacionit “Revansh”, ku u zbardhën komunikime e biseda të zhvilluara në aplikacionin “Sky” dhe “Encrochat”.
Në këto biseda, Duka thurte plane për eliminimin fizik të Ervis Martinajt dhe lidhjeve të afërta të tij shoqërore, siç ishte Erigers Mihasi. Mbi këto dyshime për Leonard Dukën, SPAK ka ngritur akuzën e sigurimit të kushteve të vrasjes në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.