Pjeter kaza 1024x576

Policia e Lezhës njoftoi të hënën (2 Qershor) se ka identifikuar dhe shpallur në kërkim një person në lidhje me vrasjen e 57-vjeçarit Pjetër Kaza. Për shkak të hetimeve që janë në vijim, uniformat blu nuk japin të tjera detaje.

“Nga hetimi intensiv dyshohet se shtetasi G. A. (për shkak të hetimeve nuk bëjmë me dije të dhëna të tjera) ka qëlluar me armë zjarri automatike në drejtim të shtetasit P. K., në momentin që ai kishte zbritur nga makina për të hapur portën e banesës, për të hyrë në banesë”, njoftoi policia.

Dyshimet e autoriteteve paraprakisht janë se bëhet fjalë për një ngjarje për gjakmarrje, por nuk përjashtohen edhe pista të tjera.

Për këtë arsye, gjatë ditës së diel (1 Qershor), uniformat blu kanë shoqëruar disa të afërm dhe familjarë të fisit me të cilët dyshohet se ishte në hasmëri familja Kaza, por më pas ata janë lënë të lirë.

Zanafilla e konfliktit ku familja e viktimës ishte përfshirë daton prej vitit 1994, me vrasjen e Ndue Kazës, ish-shef i krimeve në qytetin e Rrëshenit.

Ndue Kaza u vra më 7 janar të vitit 1994 në mes të qytetit të Rrëshenit. Autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje ishin vëllezërit Dod dhe Augustin Gjini, të cilët u arratisën pas krimit.

Tre vite më pas, në vitin 1997, Martin Kaza, vëllai i viktimës, ekzekutoi për hakmarrje vëllezërit Gjini në qytetin e Laçit, për çka u dënua me 22 vite burg.

Konflikti nuk u mbyll me kaq. Më 28 prill 2024, në Belgjikë, u vra një tjetër anëtar i familjes Kaza, Agustin Kaza, vëllai i Pjetrit. Ai u qëllua për vdekje në një lokal shqiptarësh në Bruksel, ku autorët e goditën disa herë në kokë dhe kraharor.

Pjetër Kaza është viktima e tretë në familjen Kaza në kuadër të këtij konflikti, i cili duket se vijon prej më shumë se tri dekadash.

Ai u vra mëngjesin e ditës së diel, sapo ishte kthyer nga puna që bënte në minierën e Spaçit.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights