Lleshi

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka dhënë masat e sigurimit për dy të arrestuarit për vrasjen e Klevis Lleshit.

Personi me inicialet S.N, i cili dyshohet si ekzekutori është lënë në “arrest në burg” ndërsa S.L është lënë në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Gjatë seancës gjyqësore, i dyshuari S.N nuk i ka pranuar akuzat e prokurorisë që të jetë ai ekzekutori i të riut, ngjarje e ndodhur në vitin 2020. Ndërsa, sa i përket S.L-së, ai akuzohet për pastrim parash dhe ka qenë në “arrest në shtëpi” edhe më herët tek masat e sigurimit të dhëna në mungesë. Por ka pasur një gabim tek pjesa e dispozitivit (pjesa e vendimit ku thuhet konkretisht se çfarë masash apo urdhrash jep gjykata), që e kanë dërguar në qeli.

Vrasja e Klevis Lleshit e ndodhur në gusht të vitit 2020 u zbardh nga SPAK pas pesë vitesh. Ditën e djeshme, SPAK nxori katër urdhra ndalimi, 2 prej të cilëve janë ekzekutuar nga Policia e Shtetit. Dy të tjerë, mes tyre dhe porositësi i kësaj ngjarjeje, janë shpallur në kërkim.

Implikimi i tyre në vrasje është zbuluar falë zbërthimit të aplikacionit “SKY ECC”, ku ka rezultuar se 36-vjeçari A.H., i njohur ndryshe edhe si A.K., është porositës i ekzekutimit të të riut Lleshi.

Për kapjen e porositësit, policia ushtroi kontrolle të shumta, madje edhe në një lokal në pronësi të tij në rrugën Myslym Shyri. Dyshimet janë se ngjarja ka si prapavijë hakmarrjen.

I dyshuari si porositësi i kësaj vrasjeje është vëllai i Agim Hoxhës, të ekzekutuar në vitin 2012 nga Arben Lleshi. Ky i fundit u vra në 2020 në burgun e Peqinit nga S.M.

Edhe kjo ngjarje dyshohet se lidhet me pistën e hakmarrjes, megjithatë kjo pistë nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet, pasi autori i krimit nuk pranon të tregojë porositësit.

Vrasja e Hoxhës nga Arben Lleshi u bë pikënisje për një seri ngjarjesh. Një vit pas atij ekzekutimi u vra babai i Klevisit, Xheviti, ndërsa 3 vite më vonë vëllai i tij Hajredini. Ndonëse i ri në moshë, hakmarrja nuk kurseu as Klevisin, 21-vjeçar, i cili fillimisht u zhduk në Burrel, e më pas u gropos në fshatrat e Kurbinit, ku u gjet nga banorët e zonës në vitin 2023.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights