Gjykata e Tiranës ka vendosur të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për Flodian Plakun, 42-vjeçarin e akuzuar për vrasjen e Gentian Bejtjas, i cili njihet edhe me mbiemrat Mamo dhe Serjani.
Para trupit gjykues, ai ka mohuar çdo përfshirje në krim, duke deklaruar se lidhja e vetme me ngjarjen mund të jetë një automjet Golf që kishte përdorur dhjetë ditë para vrasjes.
“Nuk kam lidhje me ngjarjen. Kam përdorur një Golf para 10 ditësh, ndaj ka ardhur policia tek unë”, është shprehur ai gjatë seancës.
Hetimet për zbardhjen e plotë të vrasjes vijojnë, ndërsa Prokuroria e Tiranës e konsideron Plakun si një nga personat kyç të dyshuar për krimin.
Flodian Plaku u arrestua dy ditë më parë në një hotel në Orikum ku ai ishte strehuar prej disa kohësh. Në momentin e arrestimit atij i janë gjetur 25 mijë euro cash dhe shtatë celularë, gjithashtu edhe dy armë zjarri.
Më herët në pranga kanë rënë edhe dy bashkëpunëtorët e tij, Edison Haxhiun dhe Ilir Beqaraj, të cilët e ndihmuan të largohej jashtë vendit.
Gentian Bejtja u ekzekutua me mbi 30 plumba pasditen e 15 marsit, brenda serës në oborrin e banesës së tij në fshatin Larushk të Fushë-Krujës.
Tre persona zbritën nga automjeti “Land Rover Discover” dhe zbrazën kallashnikovët drejt viktimës, dhe më pas u larguan drejt fshatit Hasan e Bubq. Nga dinamika e ngjarjes dhe provat e gjetura në vendin e krimit, policia beson se ekzekutorët janë vrasës me pagesë.