Gjykata e Fierit la në burg tre autorët e dyshuar të vrasjes së Anesti Ramës.
Emanilda Rama, vajza e tij 26-vjeçare që mori përsipër krimin, Valbona Rama, bashkëshortja që ndihmoi të fshihej ngjarja dhe Çlirim Dogani, bashkëpunëtori në krim, do të qëndrojnë në qeli gjatë hetimeve që do të zhvillojë prokuroria.
Në deklarimet në polici, 26-vjeçarja Rama pretendon se e ka mbytur të atin për shkak të sjelljeve të tij.
“Rreth orës 12:30 kam shkuar në banesë dhe teksa mamaja po bënte punët e shtëpisë, i jam drejtuar tualetit. Kur kam hapur derën e tij pashë babin brenda dhe shoh që tualeti ishte bërë pis prej tij. Kur e pashë tualetin ashtu u acarova, dola jashtë dhe shkova të marr një tel, të cilin e kisha lënë në cepin e ballkonit të shtëpisë. Shkova sërish në banjo dhe i thash babit “mos bëj zë” ai mu kthye “do vuash dhe do vdesësh pas meje”. Në atë moment i lidha dy herë telin rreth qafës dhe e mbyta. Pastrova duart me ujë dhe i thash mamit të dilnim nga shtëpia të iknim në punë. Trupin e babait e lashë në tualet deri në darkë”, rrëfeu ajo.
Nëna e vajzës njëherazi dhe bashkëshortja e viktimës, sipas policisë ka kryer veprime për të fshehur vrasjen e Anesti Ramës.