Partia Socialiste ka zhvilluar këtë të hënë një mbledhje të rëndësishme të kryesisë, të drejtuar nga kryetari Edi Rama, me qëllim organizimin dhe përgatitjet për zgjedhjet e 11 Majit. Takimi përfshiu drejtuesit politik të qarqeve dhe kryetarët socialistë të bashkive, të cilët morën pjesë nëpërmjet lidhjeve online. Fokus kryesor ishte strategjia për të siguruar sa më shumë vota, përfshirë edhe ato të diasporës.
Në këtë mbledhje, u zyrtarizuan disa ndryshime në strukturat politike. Blendi Klosi u caktua drejtues politik i qarkut të Dibrës, duke zëvendësuar ministrin Blendi Gonxhja, i cili tashmë do të drejtojë zonën e Kombinatit në Tiranë. Ndërkohë, ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, do të angazhohet në qarkun e Vlorës, duke punuar përkrah drejtuesit aktual, Bledi Çuçi.
Një tjetër pikë kyçe e diskutimeve ishte angazhimi për votën e diasporës. Strukturat e Partisë Socialiste kanë afat deri në fund të dhjetorit për të identifikuar emigrantët dhe për t’i përfshirë ata në regjistrat e PS-së, si pjesë e strategjisë për të rritur bazën elektorale në zgjedhjet e ardhshme.
Ky mobilizim i gjerë tregon përkushtimin e PS-së për të ruajtur epërsinë elektorale dhe për të arritur rezultate të larta në garën e ardhshme politike.