Ursula von der leyen 1024x576

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen, ka dhënë një mesazh të fortë dhe emocional këtë të mërkurë, më 10 shtator, mbi gjendjen aktuale të Bashkimit Europian dhe sfidat globale me të cilat përballet kontinenti.

Në një fjalim të mbajtur para deputetëve të Parlamentit Europian, Von der Leyen theksoi se “Evropa është në një gjendje kritike”, dhe bëri thirrje për një rilindje të Evropës si një fuqi e pavarur, e bashkuar dhe në paqe. Ajo u ndal në situatën e luftës në Ukrainë, përfshirjen e Polonisë sot për herë të parë në konflikt, luftën që po bëhet në Gaza, dhe shpalli disa plane ndëshkuese për Rusinë dhe Izraelin.

Po ashtu von der Leyen foli gjatë për gjendjen ekonomike të Evropës, për luftën tregtare, si dhe bëri disa propozime në fusha të caktuara, duke nisur nga makinat elektrike, bujqësia, e me radhë. Von der Leyen u ndal gjithashtu në situatën e zjarreve me të cilën e gjithë Evropa u përball gjatë muajve të verës.

Po, ka ardhur koha të luftojmë!

Gjatë fjalimit të saj përpara Parlamentit Europian, Ursula von der Leyen u ndal në situatën e sotme në Poloni, ku u rrëzuan mbi 10 dronë rusë të cilat ishin të destinuara për të sulmuar Ukrainën. Presidentja e KiE-së theksoi se Evropa s’mund të qëndrojë indiferente ndërsa shtoi se ka ardhur koha të luftojnë.

“Europa është në gjendje kritike. Për të luftuar për një Evropë të pavarur dhe në paqe, për të mbrojtur vlerat e demokracisë dhe vlerat e saj. Një luftë për liri, për të mos bërë gabime. Kjo është një luftë për të ardhmen tonë. Kam menduar shumë gjatë se si do ta nis këtë fjalim, me këto fraza që s’mund t’i përdorim gjithmonë. BE është një projekt paqeje, por e vërteta është se bota po përballet sot me situata të paharrueshme. S’mund të tolerojmë situatat me të cilat po përballen qytetarët evropianë çdo ditë; po e përjetojnë situatën globale me rritjen e kostove të jetesës, janë të shqetësuar nga ngjarjet që shikojnë në lajme, situata e tmerrshme në Gaza dhe agresioni rus në Ukrainë. S’mund të presim që kjo të vijojë. S’ka më nostalgji. S’mund të qëndrojmë indiferentë. Pra po, ne duhet të luftojmë! Sepse kemi fuqi të mëdha që kërkojnë ta mbajnë peng Evropën. Një botë e cila është e varur nga armatimi, dhe për të gjitha këto arsye, një Evropë e re duhet të rilindë! Ky duhet të jetë momenti i pavarësisë së Evropës, ky duhet të jetë misioni i PE-së, të marrim kontrollin mbi teknologjitë e reja. Të jemi të hapur ndaj botës, të vendosim partneritete.”, tha von der Leyen.

Ajo shtoi se apeli i saj është për bashkim.

Presione, sanksione dhe mur dronësh kundra Rusisë

Von der Leyen u ndal në situatën e sotme në Poloni, ku u rrëzuan mbi 10 dronë rusë të cilat ishin të destinuara për të sulmuar Ukrainën.

“Sot kemi qenë dëshmitarë të një shkeljeje të papërgjegjshme dhe të paprecedentë të hapësirës ajrore polake dhe evropiane nga më shumë se 10 dronë rusë Shahid. Europa shpreh solidaritet të plotë me Poloninë.” Këtë e deklaroi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

“Mesazhi i Putinit është i qartë dhe përgjigja jonë duhet të jetë e qartë gjithashtu. Duhet të ushtrojmë presion, më shumë saksione, po përgatisim paketën e 19 të sanksioneve, të godasim energjetikën ruse.

Po vlerësojmë veçanërisht eliminimin më të shpejtë të karburanteve fosile ruse, po shqyrtojmë flotën e errët dhe vendet e treta dhe, njëkohësisht, kemi nevojë për mbështetje më të madhe për Ukrainën. Askush nuk ka bërë më shumë se Evropa për Ukrainën, duke nisur nga 117 miliardë Eurot. Nuk duhet të jenë vetëm taksapaguesit evropianë, duhet të paguajë Rusia për dëmet që i ka shkaktuar Ukrainës. Prandaj duhet të punojmë me shpejtësi për të gjetur mundësi të tjera për rindërtimin e Ukrainës, duke sekuestruar asetet ruse.”, tha von der Leyen.

Ajo shtoi se do të ndërtohet një mur mbrojtës me dronë mbi Kievin.

“Mund të njoftoj gjithashtu se Europa do të paradhurojë 6 miliardë euro nga kredia e G7-ës dhe do të nënshkruajë një aleancë për dronët me Ukrainën. Ukraina ka zgjuarsinë. Ajo që i duhet tani është shkalla industriale. Dhe së bashku mund t’ia sigurojmë këtë: që Ukraina të ruajë avantazhin e saj konkurrues ndaj Rusisë dhe Europa të forcojë të vetin. Do të ndërtojmë një mur dronësh.”, tha Ursula von der Leyen në Strasburg.

3 propozime për sanksione ndaj Izraelit dhe rindërtimin e Gazës

Kryetarja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, në një fjalim që po mban këtë të mërkurë përpara eurodeputetëve, ka deklaruar një plan me 3 pika për të mbrojtur Gazën dhe ndëshkuar Izraelin.

“Komisioni do të bëjë gjithçka që mundet të bëjë. Ne duhet të ndalim të gjitha pagesat për shtetin e Izraelit, shoqërinë civile në këtë shtet.
Së dyti, duhet të vendosim për veprime të tjera me Parlamentin Evropian kundër ministrave ekstremistë, për ata që nxisin dhunën në këtë rajon, dhe do propozojmë ndërprerjen e marrëveshjes së asociimit me Izraelin derisa të ndalet dhuna në Gaza. Jam e vetëdijshme që kjo do të jetë e vështirë të gjejë mbështetjen e të gjitha vendeve anëtare dhe mund të duket e tepruar, por ne duhet të marrim përgjegjësi mbi vete.
Plani i tretë është të ofrojmë mbështetje humanitare për rindërtimin e Gazës. Kjo do të jetë një përpjekje ndërkombëtare në bashkëpunim me partnerët evropianë.”, 
tha von der Leyen.

Ajo shtoi gjithashtu se pengjet duhet të lirohen menjëherë, të shpërndahen ndihmat në zonë dhe të arrihet një marrëveshje.

“Por në afatgjatë duhet të kemi dy shtete, dhe t’i jepet fund terrorit nga Hamasi. Është koha të arrijmë një marrëveshje mes palëve që të arrihet një paqe.”, shtoi von der Leyen.

E ardhmja e makinave duhet të ndërtohet në Evropë

Ursula von der Leyen njoftoi se Komisioni Evropian do të propozojë një nismë të re të quajtur “Nisma për Makina të Vogla dhe të Përballueshme”, pas konsultimeve me industrinë.

Makinat janë shtylla e ekonomisë dhe industrisë sonë,” tha ajo, duke shtuar se janë gjithashtu burim krenarie evropiane.

“Miliona evropianë duan të blejnë makina evropiane të përballueshme. Prandaj duhet të investojmë edhe në automjete të vogla dhe të përballueshme. Si për tregun evropian, ashtu edhe për të përmbushur kërkesën në rritje në nivel global,” u shpreh von der Leyen.

“Unë besoj se Evropa duhet të ketë makinën e saj elektrike. E si për mjedisin, të pastër, efikase dhe të lehta. E si për ekonomike, të përballueshme për njerëzit. E si për evropiane, të prodhuara këtu në Evropë, me zinxhirë furnizimi evropian. Sepse nuk mund ta lëmë Kinën dhe të tjerët të pushtojnë këtë treg. Pavarësisht gjithçkaje, e ardhmja është elektrike. Dhe Evropa do të jetë pjesë e saj. E ardhmja e makinave, dhe makinat e së ardhmes, duhet të ndërtohen në Evropë,” shtoi ajo.

Një qendër e re evropiane për shuarjen e zjarreve

Komisioni Evropian do të propozojë krijimin e një qendre të re evropiane për menaxhimin e zjarreve, me bazë në Qipro, njoftoi Ursula von der Leyen.

“Pamë të digjeshin mijëra hekrtarë në të gjithë kontinentin. Shkalla e shkatërrimeve ishte pa masë. Ndryshimet klimatike po i bëjnë çdo verë më të nxehtë, më të ashpër dhe më të rrezikshme. Ne duhet të shtojmë përpekjet për të mbrojtur klimën, natyrën, me zgjidhje eficente, ne duhet t’i japim vetes mekanizmat e duhura. Prandaj duhet të mbështesim shtete si Qipro dhe shtete anëtare të cilat na kanë frymëzuar”, tha von der Leyen.

Nëse duhani është i kufizuar për fëmijët, duhet të jetë edhe rrjetet sociale

Von der Leyen dënoi algoritmet që shfrytëzojnë dobësitë e fëmijëve për të nxitur varësinë, duke e quajtur këtë një “tsunami të teknologjive të mëdha” që po shkatërron familjet.

“Ashtu si në kohën time, ku si shoqëri i mësonim fëmijët që nuk mund të pinin duhan, alkool apo të shikonin përmbajtje për të rritur deri në një moshë të caktuar, besoj se ka ardhur koha të mendojmë njësoj për rrjetet sociale,” tha ajo.

Von Der Leyen njoftoi se do të krijojë një panel ekspertësh këtë vit për ta këshilluar mbi qasjen më të mirë për Evropën.

Evropa të udhëheqë kërkimin shkencor, do investojmë 500 milionë USD

Von der Leyen njoftoi gjithashtu një paketë investimi prej 500 milionë dollarësh për të mbështetur kërkimin shkencor.

“Kërkimi shkencor s’ka pashaportë, komb, ngjyrë politike. Prandaj BE do mbështesë me 500 milionë dollar kërkimin shkencor. Evropa duhet të vijojë udhëheqjen në nivel global dhe në këtë fushë.”, tha presidentja.

Të godasim trafikantët e qenieve njerëzore

“Na duhet një sistem që është human, por nuk duhet të jemi naivë. Duhet të jemi seriozë për kthimin e azilkërkuesve të refuzuar në vendet e tyre të origjinës. Nuk mund të kemi një situatë ku vetëm 20% e atyre që nuk lejohen të qëndrojnë realisht largohen nga Evropa,” deklaroi ajo.

Ajo theksoi se Pakti për Migracionin dhe Azilin, që hyn në fuqi vitin tjetër, varet nga pjesëmarrja e të 27 shteteve anëtare.

Evropa duhet të jetë ajo që vendos kush vjen, dhe në çfarë rrethanash, jo trafikantët,” shtoi ajo.

Ajo bëri thirrje për bashkëpunim më të ngushtë me rrjetet sociale, kompanitë ajrore dhe shërbimet financiare për të goditur rrjetin e trafikimit.

Ushqimet evropiane më të mirat në botë

Në bujqësi, Von der Leyen përsëriti frazat e zakonshme: fermerët si “kujdestarë të tokës dhe oqeaneve tona, të biodiversitetit tonë”, si dhe u angazhua për çmime të drejta dhe ndalimin e praktikave të padrejta tregtare.

Sipas saj fermerët janë ata që po krijojnë mundësinë për të pasur ushqim të sigurtë, por fermerët po përballen me konkurrencë të pandershme.

Megjithatë kishte një element të ri: një fushatë promovuese me sloganin “Bleni Ushqim Evropian”.

“Unë dua të deklaroj sot për të marrë një iniciativë të re në fushën e ushqimit, dua të deklaroj se ushqimi evropian është më i miri në botë.”, deklaroi ajo.

Agjenda e shëndetësisë së BE-së bëhet globale

Von der Leyen i dha një kthesë globale politikës së shëndetësisë, duke pozicionuar BE-në si lidere në një moment kur të tjerët, veçanërisht SHBA-të, po tërhiqen.

“Jemi në prag apo ndoshta në fillim të një tjetër krize globale shëndetësore,” paralajmëroi ajo.

“Kjo është arsyeja pse sot mund të shpall që BE-ja do të udhëheqë një Nismë të Re Globale për Qëndrueshmëri Shëndetësore. Sepse bota po i drejtohet Evropës–dhe Evropa është gati të udhëheqë.”

Ajo shtoi dhe një ton personal: “Si mjeke me profesion, jam e tmerruar nga dezinformimi që rrezikon përparimin global për gjithçka, nga fruthi te poliomieliti.”

Qendër të re për demokracinë, financime për median

Gjatë fjalimit të saj, Von der Leyen tha se në BE “do të ndërtojmë një qendër për demokracinë” ku do të ketë ekspertë të fushës së mediat dhe të ligjit.

“Duhen programe financimi për median e pavarur. Por duhet të adresojmë dhe disa nga kërcënimet konkrete në këtë fushë, prandaj në buxhetin e ardhshëm do të rrisim financimin për median, median kombëtare dhe për median lokale. Media e lirë është shumë e rëndësishme për demokracinë dhe duhet ta mbështesim në nivel evropian, pavarësisht ndërhyrjeve tuaja në këtë sallë.”, tha presidentja e KiE-së duke iu drejtuar disa eurodeputetëve që po flisnin gjatë fjalimit të saj.

Ju po e sfidoni luftën ndaj disinformimit.”, shtoi ajo.

Von der Leyen e mbyll fjalimin: “Rroftë Evropa!”

Ursula von der Leyen e përfundoi fjalimin e saj për gjendjen e Bashkimit Evropian duke thënë: “80 vjet më parë, kontinenti ynë ishte ferri mbi tokë. 40 vjet më parë, kontinenti ynë ishte i ndarë nga një Mur. Por në secilin rast, evropianët vendosën të luftonin për një të ardhme më të mirë, për të përmbushur veten, dhe për ta bërë të tërën të fortë. Dhe kjo është ajo për të cilën do të punoj çdo ditë, së bashku me ju, anëtarë të nderuar. Rroftë Evropa!

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights