Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka konfirmuar një qëndrim më të ashpër të Bashkimit Europian ndaj Kinës, në prag të një samiti të rëndësishëm që pritet të zhvillohet më 24 korrik në Pekin.
Gjatë një debati në Parlamentin Europian mbi marrëdhëniet BE-Kinë, Von der Leyen deklaroi se qëndrimi i Kinës ndaj luftës së Putinit në Ukrainë do të jetë vendimtar për të ardhmen e këtyre marrëdhënieve.
“Është në interesin tonë të bashkëpunojmë me Kinën. Por mbështetja e palëkundur e saj për Rusinë po rrit ndjeshëm pasigurinë dhe paqëndrueshmërinë në Europë”, u shpreh ajo.
Këto deklarata erdhën në të njëjtën ditë kur agjencia Bloombergpublikoi zbulime të reja mbi bashkëpunimin e kompanive kineze me Rusinë për prodhimin e dronëve që përdoren në luftën kundër Ukrainës.
Von der Leyen theksoi gjithashtu rreziqet strategjike dhe sistemike që Kina përbën për sigurinë dhe konkurrueshmërinë europiane, duke nënvizuar se: “Kina funksionon me një sistem tërësisht të ndryshëm dhe zotëron mjete të veçanta për të vepruar jashtë rregullave ndërkombëtare”.
Duke e cilësuar Kinën si një “sfidë reale” për Europën, ajo konfirmoi vijimin e strategjisë së “de-risking”, uljes së varësisë ekonomike dhe politike nga Kina, por pa shkëputje të plotë të marrëdhënieve.