Pas javësh negociatash intensive mes ekipeve teknike dhe politike, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, dhe presidenti amerikan, Donald Trump, takohen nesër në Skoci për të diskutuar të ardhmen e marrëdhënieve tregtare transatlantike. Takimi, i cilësuar nga von der Leyen si “i frytshëm” gjatë një bisede telefonike me Trump, mund të rezultojë vendimtar për të shmangur përshkallëzimin e një lufte tarifore që rrezikon të shpërthejë më 1 gusht.
Burime nga Brukseli bëjnë me dije se është arritur një dakordësim i përkohshëm mbi një tarifë bazë prej 15% për mallrat europiane një kompromis që, ndonëse larg objektivit fillestar të BE-së për heqjen e plotë të tarifave, shihet si një zgjidhje e pranueshme për shumicën e vendeve anëtare. Shifra është gjithashtu në përputhje me marrëveshjen që Shtetet e Bashkuara kanë arritur së fundmi me Japoninë dhe përfshin edhe 1.6% të tarifave ekzistuese. Kjo marrëveshje është ndjeshëm më e favorshme se opsioni ekstrem i vendosjes së tarifave 30%, që pritet të hyjnë në fuqi pa një marrëveshje përpara fillimit të gushtit.
Megjithatë, marrëveshja nuk është përfundimtare. BE kërkon garanci për sektorët më të ndjeshëm, si industria e makinave, farmaceutika dhe elektronika, për të cilët SHBA ka paralajmëruar tarifa shtesë deri në 25%. Brukseli synon që këto të mos e kalojnë nivelin e tarifës bazë prej 15%, ndërsa tarifat mbi çelikun dhe aluminin pritet të qëndrojnë në nivelin 50%. Nga ana tjetër, Trump kërkon një hapje më të madhe të tregut europian, përfshirë ndryshime në standardet ushqimore dhe rregulloret digjitale, një kusht që mund të mbetet i papërcaktuar në këtë fazë.
Në rast se nuk arrihet një marrëveshje, BE ka përgatitur një paketë masash ndëshkuese në dy faza, fillimisht për 21 miliardë euro në mallra amerikane më 7 gusht dhe më pas një listë shtesë me vlerë 72 miliardë euro që do të hyjë në fuqi gradualisht deri në shkurt 2026. Megjithatë, këto masa nuk janë të menjëhershme dhe duket se janë projektuar për të mos përshkallëzuar tensionet në mënyrë të menjëhershme.
Sipas analistëve, Presidenti Trump duket i interesuar për të shënuar një sukses të ri në fushën tregtare, duke shtuar të ardhurat për buxhetin federal përmes tarifave. Pas marrëveshjeve me Britaninë, Japoninë dhe disa vende të Azisë Juglindore, ai ka paralajmëruar nisjen e një vale të re tarifash për mbi 200 vende të tjera, që mund të hyjnë në fuqi më 1 gusht.
Ndërsa ndaj Kanadasë ka shprehur qëndrime të ashpra, duke e përjashtuar nga dialogu, Trump ka dhënë sinjale pozitive ndaj Kinës, duke lënë të kuptohet se një marrëveshje e re mund të jetë në horizont në takimin e ardhshëm në Stokholm.
Takimi në Skoci mbetet vendimtar: një marrëveshje mund të frenojë përshkallëzimin e tensioneve tregtare ndërmjet dy partnerëve strategjikë, ndërsa dështimi mund të hapë një kapitull të ri përplasjesh ekonomike me pasoja për të gjithë ekonominë globale.