Ambasada Amerikane në Tiranë ka bërë një reagim në rrjetet sociale ku thotë se Shtetet e Bashkuara themeluan Çmimin e Kampionëve kundër Korrupsionit në vitin 2021 për të vlerësuar individët që kanë ndërmarrë hapa të jashtëzakonshëm për të luftuar korrupsionin dhe për të shfaqur solidaritetin e SHBA me këta partnerë heroikë. Në reagimin e Ambasadës thuhet se në Ditën Ndërkombëtare kundër Korrupsionit, ata njohim 10 kampionë kundër korrupsionit, të cilët kanë udhëhequr ose kanë mbrojtur reformat dhe hetimet që po sjellin një botë më të drejtë dhe transparente për bashkëqytetarët e tyre.
Në reagim shtohet se të vlerësuarit e këtij viti janë Jorge Mora Cortes nga Kolumbia, Matrika Dahal nga Nepali, Altin Dumani nga Shqipëria, Srbuhi Galyan nga Armenia, Carl Irani nga Libani, Marr Nyang nga Gambia, Javier Enrique Caraballo Salazar nga Panamaja, Didar Smagulov nga Kazakistani, Jimmy Spire Ssentongo nga Uganda dhe Sevinj Vagifgizi nga Azerbajxhani.
Për ta Ambasada thotë se SHBA është e nderuar të punojë përkrah ‘kampionëve’ për të mposhtur korrupsionin. Sipas reagimit të Ambasadës, SHBA do të vazhdojë të punojë me partnerët për të përmbushur vizionin e UNCAC dhe kornizave të tjera ndërkombëtare kundër korrupsionit dhe qeverisjes së mirë.