Screenshot 2026 03 17 115820 696x449

Në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale u prezantua sot projektvendimi “Për miratimin e planit strategjik të Kuvendit të Shqipërisë 2026 – 2030 dhe planit të tij të veprimit”.

Të pranishëm ishin Elda Zenelaj, drejtore e Sekretariatit Teknik të KKIE dhe Besarta Vladi, drejtore e përgjithshme e Kërkimit Parlamentar.

Në fjalën e saj Vladi sqaroi hapat e ndërmarra për draftimin e Planit Strategjik të Kuvendit 2026–2030, i cili përcakton vizionin, prioritetet dhe masat konkrete për zhvillimin e qëndrueshëm të institucionit të Kuvendit gjatë ushtrimit të funksioneve të tij përgjatë viteve 2026-2029, por dhe në përgjigje të rolit të shtuar të tij gjatë procesit të negociatave të anëtarësimit në BE.

Vladi sqaroi se ky draft, është dokumenti i dytë strategjik që hartohet nga stafi i administratës së Kuvendit, në vijim të Planit të parë Strategjik të Kuvendit 2020-2025, nën drejtimin e Sekretarit të Përgjithshëm dhe me mbështetjen e Zyrës së OSBE Shqipëri, të cilët kanë ofruar mbështetje teknike për të dy dokumentet strategjike.

Drafti i Planit Strategjik i është nënshtruar procesit të konsultimit me aktorët kryesorë, përfshirë deputetët, administratën parlamentare, institucionet partnere dhe organizatat e shoqërisë civile, për të siguruar një dokument të përbashkët dhe të realizueshëm.

Vladi informoi se drafti përcakton 7 fusha prioritare dhe 29 objektiva strategjikë të Kuvendit për periudhën 2026–2030 dhe më konkretisht prioritetet janë: efektiviteti i ushtrimit të funksionit ligjvënës; efektiviteti i ushtrimit të funksionit mbikëqyrës (kontrollues); efektiviteti i ushtrimit të funksionit zgjedhës; forcimi i rolit të Kuvendit në procesin e negociatave me BE; forcimi i rolit të Kuvendit në diplomacinë parlamentare; rritja e transparencës, pjesëmarrjes dhe edukimit qytetar në veprimtarinë parlamentare; si dhe përmirësimi i kuadrit rregullator, forcimi i kapaciteteve të burimeve njerëzore dhe përmirësimi i infrastrukturës fizike e digjitale. Pas diskutimeve, komisioni miratoi projektvendimin në fjalë.

“Thelbi është të përcaktojë prioritetet e zhvillimit të Kuvendit të Shqipërisë për periudhën 2026-2030 duke synuar përkthimin në objektiva konkretë të asaj që është vizioni i Kuvendit. Jemi institucion transparent, gjithëpërfshirës dhe modern që ka rol kyç në forcimin e demokracisë dhe përshpejtimin e procesit të negociatave me BE”, u shpreh Besarta Vladi.

Gjatë fjalës së tij, kryetari i komisionit Fatmir Xhafaj theksoi se “ky nuk është një dokument pune i stafit të Kuvendit, ky është një dokument i Kuvendit, ky përcakton qasjen e Kuvendit, vizionin e Kuvendit, misionin e Kuvendit dhe fushat e përgjegjësisë ku do të investohet Kuvendi, si një pushtet legjislativ.

“Në këtë koncept është bërë një gjë shumë pozitive që të shprehen të gjitha strukturat, komisionet e përhershme parlamentare dhe gjithë komentet e tyre të integrohen në këtë dokument shumë serioz”, tha ai.

Xhafaj shtoi se strategjia dhe plani i veprimit që do të miratojë seanca, do të jetë pikë reference për veprimtarinë e Kuvendit, por edhe për institucione të tjera të shtetit dhe njëkohësisht dhe për qytetarët si dhe për partnerët.

Sipas Xhafajt, dokumenti duhet të jetë sa më i përshtatshëm e sa më i kompletuar me të gjitha masat e nevojshme që do ta bëjnë këtë strategji të monitorueshme dhe të zbatueshme.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights