Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë gjatë një fjalimi vjetor në Parlamentin e vendit se rrezikimi dhe cenimi i marrëdhënieve me shtetet aleate cenon vetë Kosovën dhe është gabim strategjik.“Të punosh me ata që na kanë ndihmuar ta kemi lirinë e shtetit, asnjëherë nuk është nënshtrim e as shantazhim. Besoj fuqishëm se forca jonë më e madhe qëndron pikërisht në aleancat tona”, tha Osmani të enjten në Kuvendin e Kosovës.
Duke folur në një seancë të bojkotuar nga dy prej tri partive më të mëdha opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmëninë e Kosovës, presidentja e vendit tha se “aleanca e Kosovës me vendet e tjera është më e madhe dhe më e rëndësishme se cilido prej nesh si politikan”.
Ajo bëri thirrje që Kosova t’i ruajë aleancat e saj, sepse ato, sipas saj, janë “gur themel i sukseseve tona dhe investim në të ardhmen tonë, ku Kosova do të jetë anëtare e barabartë në komitetin euroatlantik të kombeve të lira”.
Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje, është kritikuar dhe akuzuar gjatë këtij viti nga Shtetet e Bashkuara, aleati kryesor i vendit, si dhe nga Bashkimi Evropian, për veprime të “njëanshme dhe të pakoordinuara” në veriun e banuar me shumicë serbe.
Gjatë këtij viti, Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë një sërë hapash për ta shtrirë autoritetin në veriun e banuar me shumicë serbe, duke mbyllur institucionet paralele serbe.