Rehabilitimi dhe mirëmbajtja e rrjetit të kullimit është kthyer në një nga prioritetet kryesore për parandalimin e përmbytjeve dhe për rritjen e rendimentit bujqësor në zonën e Nënshkodrës.
Aktualisht, me mbështetjen e bordit të Kullimit, strukturat e Bashkisë Shkodër po punojnë për pastrimin e kanaleve kryesore duke iu ardhur në ndihmë fermerëve për vaditjen e tokave në sezonin e verës.
Përgjegjës i Shërbimit Bujqësor pranë Bashkisë Shkodër, Muhamet Muça, tha në një prononcim për mediet se “ky është kanali i pestë, ku po punohet aktualisht dhe është i gjatësi rreth 9,700 metra, ndërsa paralelisht do të ndërhyhet për pastrimin edhe në kanalet e tjera”.
Fermerët e zonës theksojnë rëndësinë e rehabilitimit të rrjetit vaditës dhe ndërgjegjësimit të komunitetit për mirëmbajtjen e kanaleve, shmangien e ndotjes dhe bllokimeve.
Gjatë dy viteve të fundit, vetëm në njësinë administrative të Berdicës janë pastruar mbi 25,000 metra linearë kanale kulluese, një investim ky që synon përmirësimin e menaxhimit të ujërave dhe krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e bujqësisë në zonë.
