Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar për herë të 44-të që të konstituojnë përbërjen e nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e shkurtit. Më 9 korrik, ligjbërësit refuzuan sërish që ta formonin një komision të propozuar për mbikëqyrjen e një votimi të fshehtë për kreun e ri të organit ligjvënës.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe refuzuan sërish, në vazhdimin e seancës konstituive, të mërkurën, që ta propozonin një përfaqësues që do të siguronte mbarëvajtjen e votimit të fshehtë.
Ato pretendojnë se është jokushtetuese kërkesa e Lëvizjes Vetëvendosje – e cila fitoi shumicën e votave në zgjedhje – që kryeparlamentari të votohet përmes formës së fshehtë, ndërsa LVV-ja ngulmon se votimi i fshehtë është legjitim dhe kërkon të ecet përpara.
Seanca konstituive do të vazhdojë të premten e 11 korrikut. Deri më tani, deputetët kanë kaluar vetëm dy pika të agjendës së seancës konstituive: raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe atë të betimit të deputetëve.
Por, procesi ka ngecur te pika e tretë: zgjedhja e kryeparlamentarit. Kandidatja e LVV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk arriti në disa votime të hapura t’i merrte 61 votat e nevojshme për t’u konfirmuar në post.
Haxhiu e LVV-së konsiderohet si figurë përçarëse nga dy parti parlamentare: PDK-ja dhe AAK-ja. Këto dy subjekte kanë kërkuar që LVV-ja të nxjerrë emër tjetër për kryeparlamentar. LDK-ja, ndërkaq, ka thënë se nuk ka vota për asnjë të propozuar të LVV-së për postin e kryeparlamentarit.
Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri. Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re.