Prishtinë – Deputetët e Kosovës u mblodhën sërish në Kuvend për të zgjedhur kryeparlamentarin, ndërsa afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit ka nisur që më 18 gusht.
Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, kryeparlamentari zgjidhet me votim të hapur dhe një kandidat mund të kandidohet vetëm deri në tre herë. Në seancën paraardhëse, Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvalla nuk arritën të siguronin 61 votat e nevojshme për zgjedhje.
Sot, 22 gusht, LVV propozoi Hekuran Muratin për kryeparlamentar, një kandidat i prezantuar nga Donika Gërvalla, por edhe ai nuk i siguroi dot votat e nevojshme.
Murati mori 57 vota pro, 51 kundër dhe gjashtë abstenim Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se PDK-ja nuk votoi për Hekuran Muratin, pasi, sipas tij, ky subjekt politik e ka bërë të qartë se nuk voton ministrat e qeverisë së kaluar. Krasniqi tha se Vetëvendosja propozoi emrin e tij për kryetar të Kuvendit, pavarësisht se e ka ditur që ai nuk do t’i merrte votat e nevojshme.
Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Italia u kanë bërë thirrje deputetëve që të konstituojnë sa më shpejt përbërjen e re parlamentare në përputhje me akt-gjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
Seanca e radhës është më 24 gusht në orën 11:00.