Banorët e Mauit në
Havai përballen sot me një peizazh të trishtueshëm shtëpish të rrafshuara,
makinash të shkrumbuara dhe rrugëve të mbuluara me hi, aty ku dikur ngriheshin
ndërtesa ndërsa bëjnë bilancin e jetëve të tyre të shkatërruara si pasojë e
zjarrit në ishullin Hawaii.

Autoritetet thonë se zjarri ka shkaktuar vdekjen e të paktën 80 personave.
Shumë të mbijetuar nga zjarri thonë se nuk kishin marrë paralajmërim për t’iu
dhënë kohë të mjaftueshme për t’u larguar.

Zjarret në ishullin Maui të Havait kanë shkaktuar
vdekjen e dhjetëra personave, kanë detyruar mijëra banorë dhe turistë të
evakuohen dhe kanë shkatërruar qytetin historik të Lahainas

Zjarret janë fatkeqësia natyrore më vdekjeprurëse e shtetit që nga një cunami
në vitin 1946, që shkaktoi vdekjen e më shumë se 150 njerëzve në ‘Big Island’,
që nxiti zhvillimin e sistemit të emergjencës në të gjithë territorin që
përfshin sirenat, të cilat bien çdo muaj për të testuar gatishmërinë e tyre.

Tre ditë pas katastrofës, mbetet e paqartë nëse
banorët kishin marrë ndonjë paralajmërim përpara se zjarri të përpinte shtëpitë
e tyre.

Presidenti Joe Biden gjatë javës urdhëroi që të
sigurohet ndihma federale pasi zjarret shkatërruan qytetin turistik në ishullin
Maui.

“Sapo kemi miratuar një deklaratë për fatkeqësi madhore për
Havain, e cila do të ndihmojë njerëzit që kanë nevojë dëshpëruese për ndihmë
tani. Kushdo që ka humbur një të dashur, shtëpia e të cilit është dëmtuar ose
shkatërruar, do të marrë ndihmë menjëherë”, 
tha presidenti amerikan, Joe Biden.

Disa njerëz u detyruan të hidheshin në Oqeanin
Paqësor për të shpëtuar. Evakuimi i Lahainas u ndërlikua nga vendndodhja e saj
mes bregdetit dhe kodrave, që do të thotë se në rastin më të mirë kishte vetëm
dy rrugëdalje.

Lagje dhe biznese të
tëra janë rrafshuara dhe automjete janë djegur në të gjithë anën perëndimore të
ishullit ndërsa zjarret prenë shumicën e rrugëve nga Lahaina, destinacioni më i
madh turistik në Maui dhe zona e shumë hoteleve të mëdhenj.

Skena të tilla
shkatërrimi janë bërë shumë të njohura edhe në vende të tjera të botës gjatë
kësaj vere. Zjarret, shpesh të shkaktuara nga i nxehti rekord, detyruan
evakuimin e dhjetëra mijëra njerëzve në Greqi, Spanjë, Portugali dhe pjesë të
tjera të Evropës. Në Kanadanë perëndimore, një seri zjarresh jashtëzakonisht të
rënda dërguan re tymi mbi sipërfaqe të gjera të SHBA-së, duke ndotur ajrin.

https://www.facebook.com/blueledED/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights