SHBA-ja i vuri veton një projektrezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bënte thirrje për një “armëpushim të menjëhershëm, të pakushtëzuar dhe të përhershëm” në Rripin e Gazës, raporton Anadolu.
Në draftrezolutë u shpreh “shqetësim i thellë për situatën katastrofike humanitare, përfshirë rrezikun e urisë”, dhe u kujtuan detyrimet e të gjitha palëve për t’iu përmbajtur ligjit ndërkombëtar humanitar dhe të të drejtave të njeriut.
Projektrezoluta u propozua nga Sllovenia në emër të dhjetë anëtarëve të zgjedhur të Këshillit të Sigurimit – Algjeria, Danimarka, Greqia, Guajana, Panamaja, Pakistani, Republika e Koresë, Sierra Leone, Somalia dhe Sllovenia – dhe mori 14 vota.
E Ngarkuara me Punë e SHBA-së, Dorothy Shea, tha para votimit se “kundërshtimi i SHBA-së ndaj kësaj rezolute nuk duhet të vijë si surprizë”.
“Është e papranueshme për atë që thotë, është e papranueshme për atë që nuk thotë dhe është e papranueshme për mënyrën se si është avancuar”, shtoi ajo, duke akuzuar grupin e rezistencës palestineze, Hamasin, për refuzimin e marrëveshjeve të armëpushimit.
“Çdo produkt që minon sigurinë e aleatit tonë të ngushtë, Izraelit, është projekt i pavlefshëm”, tha Shea.
Ajo pohoi edhe një herë se “Izraeli ka të drejtë të mbrohet” dhe pretendoi se “është e paarsyeshme që OKB-ja ende nuk e ka etiketuar dhe sanksionuar Hamasin si organizatë terroriste”.
SHBA-ja më parë ka vënë veton ndaj katër projektrezolutave të Këshillit të Sigurimit që bënin thirrje për një armëpushim urgjent në Gaza, duke e shënuar rezolutën e sotme si veton e pestë.
SHBA-ja ka vënë veton ndaj rezolutave në tetor 2023, dhjetor 2023, shkurt 2024 dhe nëntor 2024, ndërsa ka abstenuar në votimet për projektrezoluta të tjera.