WhatsApp Image 2026 01 26 at 12.29.28 PM 1 696x539

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu tha sot se Shqipëria është duke përgatitur edhe rishikimin e strategjik të mbrojtjes.

Në një konferencë për shtyp mbi punën për rritjen e kapaciteteve të Forcave të Armatosura, emergjencave civile dhe industrisë së mbrojtjes, si prioritete të buxhetit të Mbrojtjes 2026, Vengu tha se aktualiteti në të cilën jetojmë dikton qartë se mbrojtja dhe siguria nuk janë më koncepte abstrakte, as tema të nivelit të dytë.

“Në debate ato janë kthyer në terma të një rëndësie parësore dhe në thelbin e sovranitetit dhe dinjitetit të një kombi”, u shpreh ministri i Mbrojtjes ndërsa vuri në dukje se zhvillimet gjeopolitike, tensionet rajonale, kërcënimet hibride dëshmojnë çdo ditë se paqja e stabilitetit nuk janë të dhëna njëherë e përgjithmonë, por përkundrazi kërkojnë investime përgatitje të vazhdueshme dhe të përditshme.

Dinamikat ndërkombëtare, vijoi Vengu, nuk premtojnë paqe të qëndrueshme, por përballje të menaxhuar midis fuqive të mëdha.

“Shqipëria është duke përgatitur edhe rishikimin strategjik të mbrojtjes. Në tërësi të gjitha këto rishikime evidentojnë një fragmentim të rendit ndërkombëtar dhe konkurrencën e përhershme që strukturon një lloj lufte të re të ftohtë. E përmend këtë sepse Europa juglindore pavarësisht se nuk është epiqendra e rivalitetit të ri global nuk është as një periferi e padukshme. Është një teatër dytësor jo për tanke, por për narrativa, dezinformim dhe ndërhyrje hibride. Nuk mund të mos jetë një fushëbetejë tankesh, por është fushëbeteje perceptimesh, influencash konkurruese nga palë të treta dhe në një rajon ku kemi ende plagë të pambyllura padyshim që përbën një problematikë të re”, tha Vengu.

Ministri Vengu u shpreh se “mbrojtja civile, kibernetike, veprimtaria prodhuese, infrastruktura kritike, zinxhirët e furnizimit, komunikimi strategjik janë pjesë e sigurisë kombëtare dhe në këtë kontekst Shqipëria ndërton sot politikën e saj të mbrojtjes”.

Më tej, Vengu u ndal në disa elemente sfida e shtylla të aktiviteteve në 2026 duke nisur me elementet buxhetorë që sipas tij, “vijnë si përgjigje ndaj këtij realiteti të ri”.

Vengu tha se buxheti 2026 nuk është një buxhet rutinë në shumë aspekte është një mekanizëm për të ndërtuar kapacitete reale për të zhvilluar industrinë për të forcuar sovranitetin digjital dhe për të garantuar një Shqipëri si një aleate e qëndrueshme në NATO.

“Këtë vit buxheti arrin vlerën 2.12 të PBB-së dhe nëse e krahasojmë me 2025 kemi një rritje domethënëse prej 12%”, theksoi ai.

Ministri Vengu theksoi se “shtylla e parë e artikulimit të kësaj përpjekjeje të madhe buxhetore, të cilën e kemi kërkuar pranë sovranit është kapitali njerëzor si themeli i forcës tonë. Është themeli i çdo ushtrie moderne dhe për këtë arsye do të vijojmë politikën afatgjatë të rritjes së pagave në mënyrë të qenësishme me synim që deri në vitin 2029 të arrijmë mesataren e NATO-s. Rritja parashikon një rritje progresive 60-70% për pagat bazë dhe 30% për nivelet më të lartë të komandimit”.

“Paralelisht me këtë përpjekje në kuadër të rritjes së pagave synojmë gjithashtu rritjen me 30% të komponentit aktiv më shumë forca aktive, më shumë forca profesionale”, tha Vengu.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights