Erion veliaj

Nga qelia e paraburgimit në Durrës, ku ndodhet pas vendimit për masën e sigurisë “arrest me burg”, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar sërish mbi akuzat që rëndojnë ndaj tij. Në një mesazh të gjatë, ai ka mohuar pretendimet për korrupsion dhe ka ironizuar akuzat mbi blerjet online të bashkëshortes së tij, duke sfiduar kundërshtarët politikë që, sipas tij, po e shfrytëzojnë këtë situatë për qëllime të tjera.

“Ku është maunia me 1 milion euro mall?” – pyet Veliaj, duke aluduar për mungesën e provave konkrete në dosjen ndaj tij. Ai kritikon mënyrën se si është trajtuar çështja nga prokuroria, duke ironizuar me krahasime dhe duke vënë në dyshim objektivitetin e hetimeve.

“Për 1 milion euro mall duhet një dyqan i madh, apo jo? Përderisa edhe lavamanët i shkulën nga vendi në të gjithë ambientet në Tiranë e Golem për të kërkuar ndonjë varëse floriri të fshehur, atëherë besoj se duhet të kishin prova materiale, apo jo?” – shton ai.

Në reagimin e tij, Veliaj sulmon ashpër edhe prokurorin e çështjes, duke e akuzuar për fokusimin e tepërt në jetën personale dhe duke e përshkruar hetimin si të njëanshëm.

Por, ja që e vërteta nuk është ashtu si thotë prokurori i fiksuar pas fustanëve të gruas time, që gjatë intervistës më tregonte se si kontrollonte gruan e tij dhe më pyeti edhe “çfarë hamë?”. Po po, e lexuat mirë, çfarë hani ju tha! Pa merak, se do ju’a tregoj edhe këtë, këtu jemi! U pa puna, ata me letra anonime dhe metoda sigurimse, unë me letra nga burgu, ku më morën peng pa gjyq.

Sipas tij, mungesa e provave konkrete për akuzat e korrupsionit tregon qartë se procesi ndaj tij ka motive politike. “Nuk ka asnjë fakt që të provojë se kam kërkuar apo marrë rryshfet,” shprehet ai, duke aluduar se arrestimi i tij kishte për qëllim ta pengonte në mbrojtjen e vetes.

Po si është e vërteta? E vërteta ime do të dalë e gjitha, jini të bindur. Por, mundohuni të kuptoni, se sa më e vështirë bëhet kjo betejë krejt e pabarabartë, kur të marrin peng, siç më kanë marrë mua, dhe flasin vetëm ata, duke furnizuar gjirizët me “faktet” e tyre të njëanshme. Kryebashkiaku thotë se vazhdon të jetë ende person i dyshuar dhe jo I pandehur, kjo sepse ende nuk kane gjetur fakte për të provuar akuzat e ngritura ndaj tij për korrupsion.

Në fund, ai i drejtohet gjykatësit Erjon Bani dhe prokurorit Ols Dado, të cilët i akuzon se kanë bashkëpunuar për të realizuar, sipas tij, një “pengmarrje pa gjyq” dhe për t’i dhënë një fitore politike Sali Berishës.

Veliaj mbetet në pritje të zhvillimeve të mëtejshme, duke këmbëngulur se do të vazhdojë të mbrojë qëndrimin e tij dhe të hedhë poshtë akuzat që rëndojnë ndaj tij.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights