Sot në 9 mars, në orën 09:30, u hap seanca e parë në themel e procesit gjyqësor që përfshin Erion Veliaj, kryebashkiakun e Tiranës, bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, dhe një grup prej 28 personash dhe kompanish të përfshira në të njëjtën çështje penale. Seancën do ta drejtojë gjyqtarja Ëngjëllushe Tahiri, ndërsa dy relatorët e çështjes janë Alma Kodraliu dhe Rudina Palloj.
Në procesin ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj dhe të bashkëpandehurve të tjerë, në sallë është prokurori Ols Dado, por nuk është i pranishëm prokurori tjetër Altin Dumani.
Në GJKKO u paraqit Elman Abule, i cili akuzohet për pastrim parash.
Çfarë po ndodh në seancë?
Në sallë nuk është i pranishëm kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, as bashkëshortja e tij Ajola Xoxa.
Gjykata konstaton se i pandehuri Erjon Veliaj, me shkresë nga burgjet është njoftuar për datën e sancës. Por, Veliaj ka depozituar një deklaratë, ku thekson se nuk do të paraqitet në seancën gjyqësore, pasi nuk ka seancë paraprake. Po ashtu, Veliaj nuk ka cituar as emrin e një avokati. Gjykata ka lajmëruar avokatin Ermir Beta, i cili ka kthyer përgjigjie se nuk perfaqëson më Veliajn. Po ashtu edhe avokati Artan Gjermeni ka deklaruar se nuk është më avokat i Veliajt, sepse kryebashkiaku e ka revokuar.
Po ashtu në sallë është avokatja Valentina Teodoresku. Avokatja e Veliajt, Teoderesku u shpreh në gjykatë se Veliaj ka të drejtë të mos jetë i pranishëm. Sipas saj, kryebashkiaku i Tiranës nuk është njohur me dosjen. “I pandehuri i mbrojtur prej meje ka të drejtë në atë që thotë, pasi nuk është njohur me aktet dhe për këtë arsye ai ka të drejtë, se nuk është zhvilluar një seancë paraprake. Edhe sot unë po bëj të njëjtën kërkesë, që t’i jepen të gjitha aktet, që ai të njihet me dosjen. Nuk kemi pasur mundësi që të njohim dosjen, pasi kur unë vajta, ai ishte i sëmurë. Ai kërkon të gjithë fashikujt, 61 mijë faqe, aq sa janë”, tha ajo.
Edhe pse e pandehura Ajola Xoxa ka marrë dijeni për seancën e sotme, nuk është paraqitur. Por, janë paraqitur avokatët Maksim Haxhia dhe Dritan Jahaj. Avokati Maksim Haxhia thekson se klientja e tij është në pamundësi për t’u paraqitur, pasi ajo është shtatzënë dhe ja ka ndaluar mjeku, që ajo të paraqitet për momentin në këtë seancë.
Shoqëritë dhe të pandehurit
Për shoqërinë Rametal Shpk, do mbrojë interesat avokatja Romina Zano.
I pandehuri Gentian Sula nuk është i pranishëm në sallën e gjykimit, në sallë nuk është as avokati Artan Zeneli. Ky i fundit ka theksuar se nuk paraqitet se ndodhet jashë vendit, as për Shoqërin Agikons nuk ka avoakt pasi përfaqësohet nga Artan Zeneli, që ndodhet jashë vendit.
I pandehuri Meriman Palushi nuk është i pranishëm, por është e pranishme avokatja Alketa Nushi. Avokatja tha se i mbrojturi prej saj është në pamundesi për të ardhur. Për shoqërinë Palushi Shpk, po mbrohet nga Avokati Ivi Rrokaj, që është i pranishëm.
I pandehuri Fatmir Bektashi nuk është i pranishëm në seancë e do të mbrohet nga avokati Sokol Hazizaj, avokati do të përfaqësojë edhe shoqërinë Kontakt. Avokati është i pranishëm dhe merr përsipër mbrojtjen. Bektashi nuk është paraqitur sepse ka probleme shëndetësore.
I pandehuri Sokol Kryeziu nuk është i pranishëm në sallë, mbrohet nga avokati Klodian Skënderaj. Shoqëria Gerard shpk, do mbrohet nga avokati Ivi Rrokaj që merr përsipër mbrojten.
I pandehuri Shkëlqim Fushaj nuk është i pranishëm, mbrohet nga avokati Ilir Dode.
Për shoqërinë fusha Shpk. Mbrohet nga avokati Ulian Bajramaj dhe nuk është i pranishëm. AI ka kërkuar shtyrje të seancës. Avokati ka theksuar se ndodhet në një seancë tjetër në Gjykatën e Vlorës.
I pandehuri Mirton Lika është i pranishëm në sallën e gjykimit.
Çështja u dërgua për gjykim nga Gjykata e Posaçme më 9 shkurt, pas hetimeve të kryera nga SPAK. Veliaj ndodhet në arrest me burg që nga 10 shkurt 2025. Sipas SPAK, procesi u vonua disa muaj për shkak të kërkesës formale që vetëm pesë muaj më parë u dorëzua për kalimin e dosjes në gjykim.
Prokuroria ka ngritur 13 akuza ndaj Erion Veliajt, duke përfshirë korrupsion pasiv në disa raste, pastrim parash, mosdeklarim të pasurisë, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në burg. Sipas SPAK, shumica e akuzave lidhen me marrje të përfitimeve të paligjshme në 9 raste, ku kompanitë e përfshira kanë përfituar leje ndërtimi dhe fonde publike nga Bashkia Tiranë, në këmbim të favoreve monetare dhe pasurive të paluajtshme.
Edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet për korrupsion pasiv në 9 raste, si dhe për fshehje të të ardhurave, mosdeklarim pasurie dhe pastrim parash.
Personat e tjerë të akuzuar përfshijnë biznesmenë të ndryshëm, të cilët sipas prokurorisë kanë kryer korrupsion aktiv ndaj funksionarëve të lartë dhe të zgjedhurve vendorë, si dhe fshehje dhe pastrim të të ardhurave të paligjshme.
Ish-deputetja Klotilda Bushka akuzohet për veprime që kanë penguar zbardhjen e së vërtetës, ndërsa F.B., gardiani i burgut të Durrësit, akuzohet për dhënie të telefonit Veliajt gjatë transferimeve drejt gjykatës, duke u përballur me akuzën për futje dhe mbajtje të sendeve të ndaluara brenda institucionit të burgut.
