Dy ditë pas ngjarjes së rëndë ku humbi jetën një 72-vjeçare, policia ka njoftuar këtë të premte se ka proceduar penalisht drejtoreshën dhe kryekujdestaren e Shtëpisë së të Moshuarve në Gjirokastër.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi për veprat penale ‘Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë’ dhe ‘Shpërdorimi i detyrës’, për shtetaset: D. D., 50 vjeçe, banuese në Gjirokastër, me detyrë Drejtoreshë e Shtëpisë së të Moshuarëve Gjirokastër dhe Dh. Zh., 52 vjeçe, banuese në Gjirokastër, me detyrë kryekujdestare në këtë institucion.”, bëjnë me dije uniformat blu.
Procedimi ndaj drejtoreshës dhe kryekujdestares së azilit u bë për shkak të ngjarjes së rëndë që ndodhi më 4 mars, ku një grua me inicialet Sh. Z., 72 vjeçe, humbi jetën gjatë transportimit në Spitalin e Traumës, pasi dyshohet se ishte vetëhedhur nga tarraca.
