Partia Demokratike ngriti sot dyshime, lidhur me tenderin që është zhvilluar nga AKSHI për sistemin e Gjendjes Civile.
Në një deklaratë për mediat nga selia e PD, zëdhënësja e Antikorrupsionit, Genta Vangjeli tha se, “nga viti 2022 deri në vitin 2025, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka tenderuar plot 8.5 milionë euro për përmirësimin dhe mirëmbajtjen e sistemit të regjistrit kombëtar të gjendjes civile”.
“Sot, edhe pse janë tenderuar miliona euro, Kryeministri pranon publikisht se sistemi i gjendjes civile vazhdon të ketë probleme serioze”, tha Vangjeli.
Vangjeli iu drejtua me një pyetje zyrtare Kryeministrit Edi Rama, se ku ndodhet paratë e shpenzuara për sistemin e Gjendjes Civile, ndërsa u kërkon organeve të drejtësisë të mos heshtin.
“Ku kanë shkuar 8.5 milionë euro të tenderuara gjatë tre viteve të fundit, nëse sistemi i gjendjes civile vijon të ketë probleme serioze? A ekziston vullneti i organeve të drejtësisë për të hetuar këto miliona euro të shpenzuara në një prej institucioneve më problematike të vendit, apo do të vazhdojë sërish heshtja”, tha Vangjeli.