Në spitalin rajonal të Durrësit, krahas gamës së zgjeruar të ekzaminimeve dhe rritjes së cilësisë së shërbimeve për qytetarët, po investohet edhe në infrastrukturë.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, informoi se së shpejti do të nisë puna për rikonstruksionin e urgjencës në këtë spital.
Në takim me drejtuesit dhe stafin mjekësor të spitalit rajonal Durrës, ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala nënvizoi se “investimi në infrastrukturë dhe pajisje të reja nuk është vetëm një nevojë teknike, por edhe një hap i domosdoshëm për përmirësimin e cilësisë së kujdesit shëndetësor, uljen e kohës së pritjes dhe rritjen e barazisë dhe sigurisë për të gjithë pacientët”.
Sala tha se ky transformim do të ndikojë pozitivisht edhe në përballimin dhe menaxhimin me efikasitet të fluksit të pacientëve gjatë sezonit turistik.
Krahas pajisjeve të teknologjisë së avancuar, spitali rajonal Durrës ka të integruar edhe rrjet të laboratorëve të rinj, i përfshirë në sistem digjitalizimi, ku ruhen të gjitha analizat e kryera.
Në spitalet publike në vend është investuar për ofrimin e shërbimit cilësor dhe zgjerimit të gamës së analizave, duke rritur mbulimin shëndetësor për të gjithë pacientët.
