Sulmet e fundit ruse në Ukrainë, kanë shkaktuar vdekjen e të paktën shtatë personave, përfshirë fëmijë dhe ndërprerë furnizimin me energji, thanë sot zyrtarët.
Zyra e prokurorit në rajonin lindor të Donetskut tha se tre vëllezër të moshës midis 8 dhe 19 vjeç ishin vrarë gjatë bombardime në qytetin e Kramatorskut dje në mbrëmje.
Kryebashkiaku i Kramatorskut, Oleksandr Honcharenko, tha se një person tjetër ishte vrarë gjithashtu gjatë sulmit.
Guvernatori i Odesës, Oleh Kiper, tha se një person ishte vrarë dhe gjashtë të tjerë ishin plagosur gjatë sulmeve të përsëritura në rajonin e Detit të Zi, të cilat ai tha se kishin në shënjestër objektet portuale, industriale dhe energjetike, si dhe infrastrukturën civile.
Kiper tha se depot në port ishin dëmtuar dhe katër automjete ishin përfshirë nga flakët – në atë që autoritetet ukrainase të mbrojtjes civile – e kanë përshkruar si një sulm masiv me dronë.
Autoritetet raportuan gjithashtu ndërprerje të konsiderueshme të energjisë elektrike, ngrohjes dhe furnizimit me ujë gjatë natës.
Zyra e prokurorit të Kharkivit tha se një grua ishte vrarë gjatë një sulmi rus me dronë, sot në mëngjes, në një fshat në rrethin Izyum në verilindje të vendit.
“Një grua tjetër u vra dhe një burrë u plagos gjatë sulmit me dron në qytetin e Orikhivit në rajonin jugor ukrainas të Zaporizhias”, sipas guvernatorit Ivan Fedorov.
Forcat Ajrore Ukrainase thanë se Rusia kishte sulmuar Ukrainën me një raketë balistike dhe 154 dronë luftarakë, 111 prej të cilëve ishin interceptuar. Ato regjistruan sulme në 18 vende.
Ukraina është mbrojtur kundër pushtimit rus në shkallë të plotë për gati katër vjet.
