Lufta në Ukrainë vazhdon të marrë përmasa tragjike me sulme të koordinuara nga Rusia ndaj qyteteve dhe infrastrukturës kritike.
Sipas presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, gjatë natës që lamë pas, rusët goditën masivisht qytetin e Odessës, duke përdorur mbi 60 dronë.
“Ky sulm nuk kishte asnjë kuptim ushtarak, ishte thjesht terror ndaj jetës civile,” tha Zelensky përmes një postimi në Telegram.
Nga sulmet e natës, një person humbi jetën dhe 11 të tjerë u plagosën, mes të cilëve edhe një fëmijë.
Objektivat e goditura përfshinë një maternitet, ndërtesa banimi, biznese dhe infrastrukturë portuale. “Shërbimet tona po punojnë për të ndihmuar aty ku është e nevojshme,” shtoi presidenti ukrainas.
Ndërkohë në veri, në qytetin Kryvyi Rig, dy burra humbën jetën nga sulmet ruse, ndërsa Kievi është kundërpërgjigjur duke goditur një rafineri të madhe nafte në Yaroslavl, në veri të Moskës. Rafineria Slavneft-Yanos, një nga pesë më të mëdhatë në Rusi, ka kapacitet prodhimi mbi 15 milion ton naftë në vit.
Ukraina synon marrëveshje sigurie me vendet e Gjirit dhe përfshirje të Kinës
Ministri ukrainas i Jashtëm Andrii Sybiha njoftoi se Ukraina po afrohet drejt përfundimit të disa marrëveshjeve sigurie, veçanërisht me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katarin, për të forcuar mbrojtjen ndaj kërcënimeve si sulmet iraniane.
Po ashtu, Ukraina po shqyrton mundësinë e përfshirjes së Kinës në përpjekjet për paqe me Rusinë.
Sybiha theksoi se vendet e Gjirit kanë përdorur mbi 800 raketa Patriot për t’u mbrojtur dhe janë të interesuara për përvojën ukrainase në neutralizimin e dronëve dhe raketave ruse.
Situata humanitare dhe strategjia e mbrojtjes
Zelensky theksoi se çdo sulm i tillë tregon se Rusia nuk ka ndërmend të japë fund luftës. “Koordinimi ndërkombëtar dhe mbrojtja e qytetarëve janë thelbësore për mbrojtjen e vendit dhe jetës,” shtoi ai. Ukraina po punon ngushtë me partnerët ndërkombëtarë për të forcuar kapacitetet mbrojtëse dhe diplomatike.
