Turqia do të jetë në gjendje të jashtëzakonshme për 3 muajt në vazhdim në dhjetë qytetet e prekura nga tërmetet: Gaziantepi, Kahramanmarashi, Hatai, Osmanije, Adijamana, Malatia, Shanliurfa, Adana, Dijarbakër dhe Kilisi.
Vendimi është marrë sot nga Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan. Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme vjen në kohën kur në Turqi dhe Siri po vazhdojnë përpjekjet për të shpëtuar personat që besohet se kanë mbetur nën rrënojat e mijëra ndërtesave të shkatërruara nga tërmetet e fuqishme që goditën këto dy shtete.
Mbi 5.000 persona raportohet se kanë vdekur, pasi një tërmet prej 7.8 ballësh goditi në orët e para të mëngjesit të 6 shkurtit.
Epiqendra e tërmetit të së hënës ishte rreth 26 kilometra nga qyteti Nurdagi dhe rreth 33 kilometra larg qytetit Gaziantep, tha Shërbimi Gjeologjik amerikan.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka njoftuar se do të shpallë shtatë ditë zi kombëtare pas tërmeteve vdekjeprurëse që goditën disa provinca jugore të vendit.
“Për shkak të tërmeteve që ndodhën në vendin tonë më 6 shkurt, janë shpallur shtatë ditë zi kombëtare. Flamuri ynë do të qëndrojë në gjysmështizë deri në perëndimin e diellit të të dielës së 12 shkurtit në të gjithë vendin tonë dhe përfaqësitë e huaja”, njoftoi presidenti Erdogan.
Tërmeti i fuqishëm ka prekur rëndë disa provinca, përfshirë Gaziantep, Sanlıurfa, Diyarbakır, Adana, Adıyaman, Malatya, Osmaniye, Hatay dhe Kilis.

