Turqia ka vendosur t’i dhurojë Shqipërisë një avion qeveritar, me vlerë rreth 11.9 milionë dollarë, si pjesë e një marrëveshjeje bilaterale për forcimin e lidhjeve diplomatike dhe ekonomike mes dy vendeve.
Lajmi është publikuar fillimisht në mediat turke, ku thuhet se avioni Airbus A319-115J, i prodhuar në vitin 2000 dhe i regjistruar si TC-GVC, do të dorëzohet pa asnjë detyrim financiar për Shqipërinë, ndërsa kostot për zhvendosjen do të mbulohen nga pala turke.
Sipas Turkiye Today, marrëveshja bilaterale synon të forcojë “marrëdhëniet miqësore dhe bashkëpunimin e ngushtë” mes Turqisë dhe Shqipërisë, të vendosura fillimisht me Traktatin e Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit të vitit 1992. Të dyja palët shprehën dëshirën për të forcuar më tej këto lidhje përmes bashkëpunimit teknik dhe mbrojtës.
Dokumenti pasqyron angazhimin e përbashkët të dy vendeve për thellimin e partneriteteve institucionale në fushën e aviacionit civil, logjistikës së mbrojtjes dhe sektorëve strategjikë më të gjerë, duke shërbyer gjithashtu si një gjest simbolik i mbështetjes së Turqisë për zhvillimin rajonal dhe përpjekjet e integrimit të Shqipërisë. “Avioni do të dorëzohet pa asnjë detyrim financiar për palën pritëse, ndërsa Turqia do të mbulojë kostot e transferimit”, thuhet në artikull.

Avioni i bashkohet flotës shqiptare
Airbus A319-115J është një variant i personalizuar i modelit standard A319-100, pjesë e familjes A320, një nga seritë më të përdorura të avionëve me një korridor në botë.
Avioni ka një peshë maksimale prej 75 mijë e 900 kilogramësh dhe një peshë bazë bosh prej 44 mijë e 790 kilogramësh. Ai fuqizohet nga dy motorë CFM56-5B7/P, secili me mbi 7 mijë cikle të mbetura, dhe është i pajisur me sistemin AS400 airshow, megjithëse nuk ka sisteme argëtimi apo lidhjeje gjatë fluturimit.
Edhe pse nuk klasifikohet si avion komercial në oraret publike, A319-115J përdoret shpesh në flotat ushtarake, qeveritare ose diplomatike, përfshirë ato të vendeve anëtare të NATO-s dhe qeverive aleate.
Në pronësi të fondit sovran të Turqisë, Turkish Airlines operon një nga flotat më të mëdha ajrore në botë, me gjithsej 515 avionë sipas të dhënave më të fundit. Ndër ta, gjenden gjashtë avionë Airbus A319-100, të përdorur kryesisht për linja të shkurtra dhe mesatare rajonale.

