Turizmi 770x440

Rreth 1.1 miliardë turistë udhëtuan ndërkombëtarisht në nëntë muajt e parë të vitit 2024, pasi sektori global i turizmit rikuperoi 98% të niveleve të para pandemisë.

Sipas Barometrit të fundit të Turizmit Botëror nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, deri në fund të vitit pritet një rikuperim i plotë nga kriza më e madhe në historinë e sektorit, pavarësisht sfidave ekonomike, gjeopolitike dhe klimatike.

Katër vjet pas shpërthimit të pandemisë COVID-19, e cila solli në ndalesë turizmin global, Barometri pasqyron rimëkëmbjen e jashtëzakonshme të sektorit, me shumicën e rajoneve që tashmë kanë tejkaluar numrin e mbërritjeve të vitit 2019 në periudhën janar-shtator 2024. Raporti gjithashtu tregon rezultate të jashtëzakonshme për sa i përket të ardhurave nga turizmi ndërkombëtar, ku shumica e destinacioneve me të dhëna të disponueshme shënojnë rritje dyshifrore krahasuar me vitin 2019.

“Rritja e fortë e parë në të ardhurat nga turizmi është një lajm i shkëlqyer për ekonomitë në mbarë botën. Fakti që shpenzimet e vizitorëve po rriten edhe më fort se sa ardhjet ka një ndikim të drejtpërdrejtë në miliona vende pune dhe biznese të vogla dhe kontribuon në mënyrë vendimtare në bilancin e pagesave dhe të ardhurat nga taksat e shumë ekonomive”, tha Sekretari i Përgjithshëm i Turizmit i OKB-së.

 

Nga rajoni, raporti veçon rritjen e ndjeshme të mbërritjeve të turistëvë në Shqipëri (+ 77%), ndërsa për Serbinë theksohet se dyfishoi të ardhurat nga turizmi.

 

Performanca e turizmit sipas rajonit
Mbërritjet ndërkombëtare të turistëve u rritën ndjeshëm në nëntë muajt e parë të 2024, të nxitura nga kërkesa e fortë pas pandemisë në Europë si dhe rimëkëmbja e vazhdueshme e destinacioneve në Azi dhe Paqësor. Shtimi i linjave ajrore dhe lehtësimi i vizave ndikuan gjithashtu te udhëtimet ndërkombëtare.

Lindja e Mesme vazhdoi të shënojë rritje rekord këtë nëntëmujor, me plus 29 për qind krahasuar me 2019, ndërsa Europa (+1%) dhe Afrika (+6%) gjithashtu tejkaluan nivelet e vitit 2019.

Amerika rikuperoi 97% të ardhjeve të saj të para pandemisë (-3% në krahasim me 2019-n). Azia dhe Paqësori arritën 85% të niveleve të 2019-ës në krahasim me një rimëkëmbje prej 66% në 2023.

Një total prej 60 nga 111 destinacione tejkaluan numrat e mbërritjeve të vitit 2019 në tetë deri në nëntë muajt e parë të 2024. Disa nga performuesit më të fortë në mbërritje gjatë kësaj periudhe ishin Katari (+141% kundrejt 2019) ku mbërritjet u dyfishuan, Shqipëria (+ 77%), Arabia Saudite (+61%), Tanzania (+43%), Kolumbia dhe Andorra (të dyja +36%).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights