Truri përmban një ”arkiv” të vërtetë për frikërat, i cili është në gjendje të kujtojë individët dhe situatat që kanë përbërë një kërcënim dhe për këtë arsye na lejon të qëndrojmë larg tyre, sipas një studimi nga ”Columbia University”.
Rezultati na lejon të kuptojmë më mirë mekanizmat themelorë të trurit jo vetëm në jetën e përditshme, por edhe në shumë çrregullime të lidhura me frikën e të tjerëve, si ankthi social dhe çrregullimi i stresit post-traumatik dhe, për këtë arsye, hap rrugën edhe për trajtime të mundshme.
Për të hetuar se ku në tru kanë origjinën kujtimet më kërcënuese, studiuesit e udhëhequr nga Pegah Kassraian studiuan sjelljen e minjve kur përballeshin me situata stresuese sociale, duke analizuar atë që po ndodhte njëkohësisht në hipokampus, zona e trurit që luan një rol kyç në kujtesë si te minjtë ashtu edhe te njerëzit.
Në veçanti, hipokampusi përmban dy rajone që janë të rëndësishme për aftësinë për të kujtuar individë të tjerë dhe vende ku kanë ndodhur përvoja, dhe pikërisht këtu autorët e studimit zbuluan arkivin: rezultatet, në fakt, tregojnë se këto zona gjithashtu ndihmojnë në regjistrimin e aspekteve më komplekse të kujtesës sociale, domethënë nëse një individ është i padëmshëm ose përbën një kërcënim.