Një ngjarje tragjike ka tronditur Romën, ku trupi i një gruaje shqiptare, e raportuar e zhdukur që prej 9 janarit, është gjetur në lumë. 65-vjeçarja u zbulua në pjesën veriore të lumit Tibër nga punonjës të një kompanie që po kryenin punime pranë një hidrocentrali.
Pas ndërhyrjes së ushtarëve dhe zjarrfikësve, trupi u nxor nga uji për t’iu nënshtruar ekzaminimeve mjeko-ligjore. Ekspertët nuk konstatuan shenja të dukshme dhune, ndërsa analizat paraprake tregojnë se vdekja ka ndodhur disa orë pas largimit të saj nga banesa.
Edhe pse nuk ka prova të qarta që sugjerojnë dhunë, autoritetet italiane po vijojnë hetimet për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet që çuan në këtë ngjarje tragjike. Policia është e angazhuar të hetojë çdo pistë të mundshme.