Presidenti amerikan Donald Trump ka urdhëruar një zgjerim të ndalimeve dhe dëbimeve të emigrantëve në të gjithë vendin, në një kohë kur protestat kundër politikave të tij vijojnë në shumë qytete.
Në një postim në rrjetin Truth Social, Trump i bëri thirrje agjencive federale që të “bëjnë gjithçka që munden” për të realizuar, siç e quajti ai, “programin më të madh të dëbimeve masive në histori”, duke përmendur në mënyrë të veçantë qytetet Los Angeles, Chicago dhe New York si objektiva të kësaj fushate.
Këto qytete janë mes atyre ku janë zhvilluar protesta të mëdha kundër bastisjeve ndaj emigrantëve të parregullt që nga data 6 qershor.
Trump është përballur me kritika dhe sfida ligjore për mënyrën se si ka reaguar ndaj demonstratave, veçanërisht për vendimin për të angazhuar ushtrinë kundër protestave.
Presidenti amerikan tha se i ka dhënë udhëzime gjithë administratës së tij që të vendosë në dispozicion çdo burim për këtë përpjekje. Ai premtoi gjithashtu se do të ndalojë hyrjen në vend të “çdo personi që cenon qetësinë e brendshme të Shteteve të Bashkuara”.
Duke iu drejtuar zyrave të ndryshme federale, përfshirë Administratës për Luftën kundër Drogës (DEA) dhe Shërbimit për Imigracionin dhe Doganat (ICE), Trump shkroi: “Keni mbështetjen time të palëkundur. Tani jepini, kryeni detyrën!”
Ky urdhër vjen vetëm një ditë pasi në të gjithë SHBA-të u mbajtën protesta të reja kundër politikave të Trump.
Lëvizja “No Kings” zhvilloi marshime në qytete nga Los Angeles në New York, të cilat përkonin me paradën ushtarake në Uashington D.C., me rastin e 250-vjetorit të ushtrisë amerikane, ngjarje që u mbajt edhe për të shënuar ditëlindjen e 79-të të presidentit.
Në një marshim të kësaj lëvizjeje në Salt Lake City të Utah-ut, një person humbi jetën si pasojë e të shtënave me armë zjarri.
Trump ka urdhëruar gjithashtu autoritetet e emigracionit të përqendrojnë përpjekjet në qytetet e njohura si “qytete strehë”, të cilat refuzojnë të bashkëpunojnë plotësisht me autoritetet federale për çështjet e emigracionit.
Këto qytete janë kthyer në pikë tensioni mes qeverisë federale dhe autoriteteve lokale, të cilat vazhdojnë të mbrojnë të drejtën e tyre ligjore për të mbështetur emigrantët e paregjistruar.
Kjo lëvizje e re konsiderohet si një përmbushje e premtimit të tij elektoral për të realizuar “programin më të madh të dëbimeve të kriminelëve në historinë e Amerikës”. Megjithëse sondazhet sugjeronin mbështetje të gjerë për këtë politikë gjatë fushatës së vitit 2024, rritja e dëbimeve ka sjellë edhe një shtim të ndjeshëm të protestave.
Ndërkohë, sipas agjencisë Reuters, vetëm një ditë para këtij urdhri, administrata Trump kishte udhëzuar autoritetet e emigracionit të ndalonin përkohësisht bastisjet në ferma, hotele, restorante dhe thertore.