Presidenti amerikan Donald Trump ka urdhëruar ndërtimin e një objekti të paraburgimit të emigrantëve në Gjirin e Guantanamos, ku ai tha se do të mbante deri në 30,000 persona. Ai tha se objekti në bazën e marinës amerikane në Kubë, i cili do të jetë i ndarë nga burgu ushtarak i sigurisë së lartë, do të strehojë “emigrantët e paligjshëm më të këqinj, kriminelët që kërcënojnë popullin amerikan”.
Gjiri i Guantanamos është përdorur në fakt prej kohësh për strehimin e emigrantëve, një praktikë që është kritikuar nga disa grupe të të drejtave të njeriut. Më vonë të mërkurën, ai që është mbiquajtur “cari i kufirit”, Tom Homan tha se objekti ekzistues atje do të zgjerohej dhe do të drejtohej nga Zyra e emigracionit dhe doganave ICE.
Ai tha se emigrantët mund të transportoheshin atje direkt pasi të kapeshin në det nga Roja Bregdetare e SHBA-së dhe se do të zbatoheshin standardet “më të larta” të ndalimit. Qeveria e Kubës e dënoi me shpejtësi planin, duke akuzuar SHBA-në për torturë dhe ndalim të paligjshëm në tokë “të pushtuar”.
Njoftimi i Trump erdhi pasi ai nënshkroi ligjin e të ashtuquajturit Akti Laken Riley, i cili kërkon që emigrantët pa dokumente që arrestohen për vjedhje ose krime të dhunshme të mbahen në burg në pritje të gjykimit. Në ceremoninë e nënshkrimit në Dhomën Lindore të Shtëpisë së Bardhë, Trump tha se urdhri i ri ekzekutiv i Guantanamos, udhëzon departamentet e mbrojtjes dhe të sigurisë së vendit të “fillojnë përgatitjen” e objektit me 30,000 shtretër.
“Disa prej tyre janë aq të këqij sa nuk u besojmë as vendeve të tyre që t’i mbajnë, sepse ne nuk duam që ata të kthehen,” tha ai për emigrantët. “Pra, ne do t’i dërgojmë ata në Guantanamo që është një vend i vështirë për të dalë.”