Një kthesë e papritur nga Washingtoni, Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara do të rifillojnë dërgimin e armëve mbrojtëse për Ukrainën, duke i dhënë fund pezullimit të shpallur më 2 korrik. Njoftimi erdhi gjatë darkës zyrtare në Shtëpinë e Bardhë në nder të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.
“Putin nuk po i trajton mirë njerëzit. Po vret shumë njerëz,” tha Trump në një deklaratë për shtyp, duke sqaruar se qëllimi është të mbështetet Ukraina me armatime mbrojtëse. Ndërkohë, nuk kurseu as kritikat për liderin rus: “Putin thotë shumë marrëzira për Ukrainën. Është gjithmonë i sjellshëm, por kjo s’do të thotë asgjë”.
Deklarata vjen në kontrast me qëndrimin e mëparshëm të Pentagonit, i cili kishte ndaluar ndihmat ushtarake për të ruajtur rezervat amerikane. Madje, në një bisedë telefonike me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, më 4 korrik, Trump mësohet të ketë thënë se nuk ishte në dijeni të pezullimit dhe e konsideroi atë si një vendim të marrë në mënyrë të pavarur nga Pentagoni.
Po tani? Shtëpia e Bardhë është tani e gatshme të dërgojë 10 raketa interceptuese Patriot në Ukrainë, një nga kërkesat më urgjente të Kievit prej muajsh.
Sipas burimeve të Axios, administrata amerikane po ushtron presion edhe ndaj Gjermanisë për të dorëzuar baterinë e saj Patriot, për të cilën është i nevojshëm miratimi i Washingtonit për çdo lëvizje apo shitje ndërkombëtare. Kancelari gjerman Merz ka kontaktuar personalisht Trumpin për këtë çështje, por ndonëse nuk është arritur një marrëveshje konkrete, negociatat mes dy palëve janë ende në zhvillim.
Nga pala ukrainase, Zelensky ka kërkuar që deklaratat politike të përkthehen sa më shpejt në veprime konkrete për mbrojtjen e popullit dhe territorit të vendit.
Presidenti ukrainas ka ngarkuar ministrin e tij të Mbrojtjes për të forcuar komunikimin me Washingtonin, duke theksuar se mbështetja për sistemet e mbrojtjes ajrore është vendimtare.
Ndërkohë, reagimi nga Moska ka qenë i kujdesshëm.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se dërgimi i armëve amerikane nuk ndihmon në një zgjidhje paqësore të konfliktit, duke vënë në dyshim mesazhet e ndryshme që vijnë nga SHBA-të. Megjithatë, ai akuzoi drejtpërdrejt vendet europiane se, përmes kësaj strategjie, po ndihmojnë në vazhdimin e luftës.
Në një reagim paralel, presidenti francez Emmanuel Macron, gjatë një vizite shtetërore në Londër, deklaroi para Parlamentit britanik se “Ne europianët nuk do ta braktisim kurrë Kievin”, duke konfirmuar vijimësinë e mbështetjes nga Perëndimi.
Lufta vazhdon, por edhe betejat politike për strategjinë dhe lidershipin në Perëndim nuk janë më pak të “zjarrta”.