Deklarata befasuese e Presidentit Donald Trump se ai do të dëshiron që SHBA të marrë kontrollin dhe të rizhvillojë Rripin e Gazës mund të duket sikur ka ardhur nga askundi, por ështës idoqoftë në përputhje me ambiciet ekspansioniste të administratës së tij të re.
Që nga kthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë pak më shumë se dy javë më parë, qasja e tij “Amerika e para” duket se është shndërruar në “Amerika më shumë”, me presidentin të fiksuar në marrjen e territorit të ri edhe pas fushatës me zotimet për ta mbajtur kombin jashtë ngatërresave të huaja dhe “luftërave të përjetshme”.
Trump ngriti mundësinë e marrjes së Gazës në pronësi amerikane gjatë një konference për shtyp të martën në Shtëpinë e Bardhë me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu. Ai tha se kishte parashikuar ndërtimin e një resorti ku komunitetet ndërkombëtare mund të jetonin në harmoni.
Propozimi i rastësishëm shkaktoi tronditje diplomatike në të gjithë Lindjen e Mesme dhe në mbarë globin, por është karakteristike për këtë mandat të dytë të Trumpit mënyra se si i ka trajtuar ai lidhjet me aleatët e ngushtë si Kanadaja dhe Meksika, duke i konsideruar ato si marrëdhënie kryesisht transaksionale dhe duke e parë botën si një mundësi të madhe biznesi. Kjo pikëpamje u nënvizua nga propozimi i tij të hënën për të hapur një fond të pasurisë sovrane të SHBA.
Ai ka ngritur mundësinë që vendi të rimarrë Kanalin e Panamasë, ka propozuar që SHBA-ja të marrë Grenlandën nga Danimarka dhe ka sugjeruar vazhdimisht që Kanadaja duhet të absorbohet si shteti i 51-të i SHBA-së.
Në të njëjtën kohë, ai ka kërcënuar Kanadanë, së bashku me Meksikën, me ndëshkime ekonomike nëse nuk pranojnë kërkesat e Trumpit për sigurinë kufitare. Trump ngriti gjithashtu mundësinë zhvendosjes së më shumë se 2 milionë palestinezëve që jetojnë në Gaza, duke sugjeruar se ajo ishte bërë e pabanueshme pas gati 16 muajsh luftë mes Izraelit dhe Hamasit. Mbrojtësit e të drejtave të njeriut dënojnë ide të tilla si spastrimi etnik.
Çdo zhvendosje e detyruar ndërkohë ka të ngjarë të shkelë ligjin ndërkombëtar. Në konferencën për shtyp të së martës me Netanyahun, Trump foli si zhvilluesi i pasurive të paluajtshme që ishte dikur, ndërsa pranoi vështirësitë që banorët palestinezë të Gazës duhet të durojnë. “Do ta shndërroj atë në një vend ndërkombëtar dhe të pabesueshëm. Mendoj se potenciali dhe Rripi i Gazës është i pabesueshëm”, tha Trump. “Dhe unë mendoj se e gjithë bota, përfaqësues nga e gjithë bota, do të jenë atje”. Dhëndri dhe ish ndihmësi i Trumpit, Jared Kushner, vitin e kaluar e kishte përshkruar Gazën si një pronë “të vlefshme” në bregdet.
