Në një lëvizje të papritur, Presidenti Donald Trump, ka rënë dakord të shtyjë zbatimin e tarifës prej 50% mbi importet nga Bashkimi Evropian deri më 9 korrik.
Kjo tërheqje e Trump erdhi pas bisedës telefonike që ai pati me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të cilën e cilësoi si një “bisedë shumë të këndshme”.
“Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen më telefonoi dhe kërkoi një zgjatje të datës 1 qershor. Tha se dëshiron të fillojë negociata serioze. Patëm një telefonatë shumë të këndshme, dhe unë pranova ta shtyja. Besoj se do të jetë 9 korriku data. Kjo ishte data që ajo kërkoi. A mund ta shtyjmë nga 1 qershori në 9 korrik? Unë pranova ta bëj këtë dhe ajo tha se do të takohemi shpejt dhe do të shohim nëse mund të gjejmë një zgjidhje”, u shpreh Trump.
Gjithashtu në një postim në platformën ‘X’, Von der Leyen tha se pati një “bisedë të mirë” me Trump dhe se BE ishte gati të vepronte shpejt. Muajin e kaluar, Trump njoftoi një tarifë prej 20% për shumicën e mallrave të BE-së, por më vonë e përgjysmoi atë në 10% deri më 8 korrik për të lënë kohë për negociata.
Javën e kaluar Trump shprehu zhgënjim me ritmin e negociatave me BE-në dhe kërcënoi të vendoste tarifa prej 50% që do të hynte në fuqi më 1 qershor.
Pas lajmit, tregjet e aksioneve në Azi shënuan një rritje modeste. Trump ka kritikuar prej kohësh atë që ai e sheh si një marrëdhënie të padrejtë tregtare me BE-në, pavarësisht se blloku është një nga partnerët më të mëdhenj tregtarë të Uashingtonit.
Presidenti amerikan ka ngritur shqetësime konkretisht mbi tregtinë e makinave dhe mallrave bujqësore edhe pse disa tarifa u pezulluan më herët këtë vit për të lejuar negociatat, ndërsa një tarifë prej 25% mbi çelikun dhe aluminin e BE-së mbetet ende në fuqi.
Udhëheqësit evropianë vazhdojnë të paralajmërojnë kundër përshkallëzimit. Franca dhe Gjermania kanë bërë thirrje për një zgjidhje diplomatike, duke theksuar se tarifat do të dëmtojnë ekonomitë.