Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka shpallur vendosjen e tarifave të reja doganore prej 35% ndaj produkteve kanadeze, duke filluar nga 1 gushti. Njoftimi erdhi në mbrëmjen e 10 korrikut (sipas orës së Uashingtonit), përmes një postimi në platformën e tij Truth Social, ku presidenti amerikan publikoi edhe një letër drejtuar kryeministrit të Kanadasë, Mark Carney.
Në letër, Trump akuzon Kanadanë për veprime hakmarrëse përmes tarifave të saj tregtare dhe shton se një rishikim i masave është i mundur, nëse Kanadaja bashkëpunon në luftën kundër trafikut të fentanilit, një lëndë narkotike që ka shkaktuar krizë të thellë në SHBA.
“Kanadaja nuk ka bashkëpunuar, përkundrazi është hakmarrë me tarifat e veta. Nëse Ottawa do të punojë me mua për të ndalur trafikun e fentanilit, mund të konsideroj një rregullim”, thuhet në deklaratën e presidentit amerikan.
Mbetet ende e paqartë nëse tarifat e reja do të prekin të gjitha produktet kanadeze, apo vetëm ato që aktualisht janë objekt tarifash, si çeliku, alumini dhe automjetet.
Kryeministri kanadez Mark Carney reagoi menjëherë duke deklaruar në platformën X (ish-Twitter):
“Në negociatat aktuale tregtare me SHBA-në, Kanadaja ka mbrojtur me vendosmëri punëtorët dhe bizneset tona. Do të vazhdojmë ta bëjmë këtë deri më 1 gusht.”
Bashkimi Europian në shënjestër
Gjatë një interviste për NBC, Trump konfirmoi gjithashtu se është duke përgatitur vendosjen e tarifave të përgjithshme prej 15% deri në 20% ndaj shumicës së partnerëve tregtarë. “Të gjithë vendet që nuk kanë marrë ende letër, do të përballen me tarifa, qoftë 15% apo 20%”, tha ai. Letra për Bashkimin Europian pritet të dërgohet “sot ose nesër”, sipas presidentit amerikan.
Lista e vendeve në rritje Brazili penalizohet më shumë
Deri më tani, rreth 20 vende kanë marrë letra zyrtare nga administrata Trump, përfshirë Japoninë, Korenë e Jugut dhe vende të Azisë Juglindore. Disa janë përballur me tarifa deri në 40%.
Por vendi më i goditur deri më tani është Brazili, për të cilin Trump njoftoi vendosjen e tarifave 50%, si reagim ndaj situatës politike të brendshme dhe akuzave për tentativë grushti shteti nga ish-presidenti Jair Bolsonaro.
Asnjë tronditje në tregjet financiare
Pavarësisht shpalljes së tarifave, tregjet financiare në SHBA nuk reaguan negativisht. Përkundrazi, presidenti Trump tha se bursat amerikane shënuan nivele rekord më 10 korrik, ditën kur u publikua letra për Kanadanë.
“Besoj se tarifat u pritën shumë mirë. Sot tregu i aksioneve theu një rekord të ri”, deklaroi ai për NBC.