Image 197

Kërcënimi i Presidentit Trump për dyfishimin e tarifave të planifikuara prej 25% për importin e aluminit dhe çelikut kanadez, bëri që qeveria provinciale e Ontarios të pezullojë tarifat e planifikuara për energjinë elektrike që i shet Shteteve të Bashkuara.

Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për tregtinë Peter Navarro, tha se si rezultat i kësaj Presidenti Trump tërhoqi vendimin për dyfishimin e tarifave për çelikun dhe aluminin. Ai tha se qeveria federale ende ka në plan që të vendosë një tarifë prej 25% për këto importe duke filluar nga e mërkura.

Zhvillimet e së martës sollën një fitore për Presidentin Trump, ndërsa janë shtuar shqetësimet mbi tarifat, çka është vënë re tek rënia e bursës amerikane dhe zërat për recesion. Kritikët thonë se lufta tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë mund të ndikojë tek ekonomitë e të dy vendeve.

Presidenti Trump shkroi të martën në mëngjes në rrjetin “TruthSocial” se kishte udhëzuar Sekretarin e Tregtisë që të vendosë një tarifë shtesë prej 25% për çelikun dhe aluminin kanadez, që do të hynte në fuqi të mërkurën në mëngjes. Vendimi ishte reagim ndaj qëndrimit të provincës së Ontarios, që vendosi një tarifë 25% për energjinë elektrike që Kanadaja eksporton në disa shtete amerikane.

Kryeministri i Ontarios, Doug Ford tha të martën pasdite se kishte marrë një telefonatë nga Sekretari amerikan i Tregtisë, Howard Lutnick, dhe pas një bisede me të kishte rënë dakord që të hiqte tarifën shtesë për energjinë elektrike. Ford tha se ishte i bindur që presidenti amerikan do të anulonte gjithashtu dyfishimin e tarifës për çelikun dhe aluminin kanadez.

Presidenti Trump sugjeroi të martën se tarifat ishin kritike për ndryshimin e ekonomisë amerikane, pavarësisht rënies së bursës. Udhëheqësi amerikan i ka përsëritur gjithashtu thirrjet që Kanadaja të bëhet pjesë e Shteteve të Bashkuara, çka ka zemëruar udhëheqësit kanadezë.

“E vetmja gjë që ka kuptim është që Kanadaja të bëhet shteti ynë i dashur i 51”, shkroi Presidenti Trump të martën. “Kjo do të bënte që të gjitha tarifat dhe gjithçka tjetër të zhdukeshin plotësisht”.

Kryeministri i ardhshëm kanadez, Mark Carney, ka thënë se qeveria e tij do t’i mbajë në fuqi tarifat derisa amerikanët të tregojnë respekt dhe të angazhohen për tregtinë e lirë, pasi Presidenti Trump tha se Kanadanë e priste një shkatërrim financiar historik.

Carney i konsideroi tarifat e reja amerikane si sulm ndaj punëtorëve, familjeve dhe bizneseve kanadeze.

“Qeveria ime do t’i mbajë në fuqi tarifat tona derisa amerikanët të tregojnë respekt dhe të angazhohen në mënyrë të besueshme për tregti të lirë e të ndershme”, shkruante Carney në një postim në mediat sociale.

Kanadaja po planifikon tarifa hakmarrëse në përgjigje të tarifave specifike të Presidentit Trump ndaj çelikut dhe aluminit kanadez. Ato pritet të shpallen të mërkurën.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights